Marrëveshja e përgjithshme kolektive në seancë të Këshillit ekonomik-social

Këshilli ekonomik-social sot duhet të mbajë seancë, ndërsa sipas paralajmërimeve, do të bisedohet për Marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe metodologjinë e re të pagave.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi të hënën në deklaratë për mediat tha se sot do të takohet me KES dhe do të bisedohet për Marrëveshjen e përgjithshme me metodologjinë e re.

Metodologjia e re për paga në sektorin publik duhet të vlejë për të gjitha strukturat në sektorin publik.

“Zgjidhja sistematike do të jetë për të gjithë. Sindikatat dolën në një vendim që metodologjia e re për të gjithë punonjësit në sektorin publik të jetë paga mesatare e shumëzuar me koeficient, e njëjta metodologji që zbatohet për të zgjedhurit dhe të emëruarit. Ne thamë se e pranojmë atë metodologji dhe po punojmë për zgjidhjen sistematike. Kur ta bëjmë këtë në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive, do të zbatohet siç duhet në të gjitha strukturat e sektorit publik”, tha Bytyqi.