Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të shtunën se Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës në veri të vendit.
Këtë deklarim Kurti e ka bërë në llogarinë e tij në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje të armatimit e pajisjeve ushtarake të cilat janë sekuestruar një ditë më parë nga Policia e Kosovës në Zveçan.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ndërsa kryeministri ka thënë se është parandaluar sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.
“Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”.
Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara. Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë duke rrëmbyer tre zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.
“Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajtën e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kurti.