Stuhia që ka përfshirë rajonin e Ohrit, Strugës dhe Debërcës ka shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore, të përcjellura me reshje breshëri me madhësi sa një arrë, bubullima dhe erë e fortë. Ka edhe vende të përmbytura, shtëpi, oborre, ndërsa qytetarët ankohen edhe për makina të dëmtuara.
Nga Komuna e Ohrit thonë se deri më tani janë raportuar vetëm dëme nga vërshimet, por ankesat më të mëdha presin të vijnë nga fermerët.
“Problemi më i madh është trafiku i vështirë në pika të caktuara ku kemi problem serioz me ngritjen e ujit, ka shtëpi të përmbytura. Deri më tani, përveç vërshimeve në vende të caktuara, nuk raportohen dëme të tjera, ndërsa dëmet në tokat bujqësore padyshim do të jenë të mëdha. Gjithashtu, do të përmblidhen të gjitha rezultatet që fermerët do të raportojnë për dëmet e tyre. Na pret punë serioze, Ohri u godit nga një furtunë që zgjati më shumë se gjysmë ore me breshër sa një arrë dhe është e natyrshme dhe normale që të ketë dëme”, tha kryetari Kiril Pecakov.
Pecakov theksoi se po merren të gjitha masat e nevojshme.
Ndërkaq, ende nuk dihen dëmet në bujqësi, por qytetarët komentojnë se gjithçka që kanë mbjellë është shkatërruar. Ata thonë se nuk ka mbetur pothuajse asgjë.
“Nuk mbaj mend diçka të tillë, prej më shumë se 30 vitesh që jam marrë me kultivimin e qershisë, kjo nuk ka ndodhur. Gjithçka është shkatërruar”, thotë 56-vjeçari kultivues i qershisë.
Kryetari i Komunës së Debrcës, Zoran Nogaçeski, thotë se për fermerët mbaron jetesa elementare nëse Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë nuk japin mjete nga fondi intervenues për bujqësi për t’i kompensuar fermerët.
“Nuk e kam përjetuar në jetën time një gjë të tillë, e cila ndodhi sot në komunën e Debrcës. Nga tani mund të them me siguri se dëmi i kulturave bujqësore është 100%. “Nuk ka mbetur asgjë e shëndetshme”, thotë Nogaçeski.
Në rajonin e Ohrit për ditën e sotme parashikohen reshje të reja intensive të përcjella me erë të fortë.