Personat me nevoja të veçanta kërkojnë kushte

Kishte një jetë normale, një punë të mirë dhe gëzonte shëndet të plotë, por një aksident trafiku ia ndryshoi përgjithmonë jetën … Kjo është historia e Bllagoja Simonovskit, 64 vjeçarit që gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në karrocë invalidësh. Thotë se është shumë e vështirë të jetohet me kufizime, ndërsa të ardhurat janë shumë të ulëta në krahasim me rritjet e përditshme të çmimeve.

“Unë jam në karrocë për invalidë tashmë 32-33 vite. Në vitin 1991 bëra një aksident në trafik dhe që atëherë jam në këtë karrige me rrota.. Kam punuar, e kisha punën e mirë, kur njeriu është i shëndosh është shumë mirë, punon dhe shpreson për punë të mira, megjithatë një sekondë më ndryshoi jetën për pothuajse 360 shkallë…Kam punuar me burgje, person zyrtarë, tani nuk punoj, jam me këto të ardhura… Kam dy fëmijë, ata janë tashmë të rritur, kanë jetën e tyre, unë jam vetë…,” u shpreh Bllagoja Simonovski, person me nevoja të posaçme.

Një ditë e zakonshme për një qytetar si Simonovski, fillon dhe mbaron në karrocë. Ai thotë se mungesa e infrastrukturës për personat me nevoja të posaçme, e kufizon lëvizjen e tij.

“Unë mbetem në këtë karrocë, kam asistent personal që më ndihmon, vjen për të më bërë ushqim dhe kështu… Në mëngjes zgjohem me ndihmë, ha mëngjesin, dal pak nëpër natyrë nëse është koha e mirë, shoqërohem me disa miq…. Derisa nuk e kisha këtë karrocë, që e kam donacion, shumë e kisha të vështirë, pothuajse me muaj nuk dilja, kemi një furgon nga NQP, na ndihmonë kur kemi nevojë, që të shkojmë në mjek. Më herët nuk mundeshim aspak, kur e mora këtë karrocë tash më lehtë mund të lëviz, të socializohem,” tha Bllagoja Simonovski, person me aftësi të kufizuara.

Në Maqedoninë e Veriut jozyrtarisht janë rreth 97 mijë persona me nevoja të posaçme. Së fundmi ata kanë protestuar përpara Qeverisë duke kërkuar trajtim të barabartë në shoqëri, rritje të të ardhurave për 78 përqind, aq sa funksionarët kanë rritur pagat e tyre si dhe disa kushte të tjera që do ta lehtësonin funksionimin e tyre të përditshëm. /alsat.mk