Ndërroi jetë gazetari Skender Raufi, ikona e gazetarisë televizive

Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, gazetari dhe publicisti i njohur Skënder Raufi. Ai ishte një ndër doajenët e programit në gjuhën shqipe pranë televizionit publik të Maqedonisë, ku punoi që nga viti 1972 deri në pensionim.

Skënder Raufi është diplomuar në Fakultetin Juridik të Shkupit, por pasion jetësor i tij mbeti gazetaria dhe publicistika.

Në TVM2 ka punuar në të gjitha zhanret e gazetarisë televizive ku ka mbajtur për një kohë edhe postin e kryeredaktorit.

Por pasioni i tij në gazetari nuk mbeti vetëm në televizionin të cilit i përkushtoi jetën. Ai ka publikuar shkrimet e tij edhe në gazeta të shumta ditore si (kryesisht në të përditshmen “Fakti”), shkrime këto me një zhanër të veçantë që e shquante nga kolegët e tjerë.

Gjithashtu është autori edhe i disa veprave publicistike si : “Takim me krijuesin “ në dy vëllime , “Vjelja e lulediellit ” me tre vëllime. Ishte edhe laureat i çmimit më të lartë për publicistikë në vendin tonë, “Mito Haxhivasilev-Jasmin”.