Besimi: S’do të ketë bllokada në DAP e Dogana

Administrata shtetërore është mbipopulluar me punësime të reja para çdo cikli zgjedhor thonë nga shoqatat civile, kurse tani që u erdhi koha për tu rritur pagat, kërkojnë matjen e produktivitetit në punë. Për të mos u mjaftuar kjo, si kryeministri Kovaçevski ashtu edhe ministri financave Besimi thonë se është e pashmangshme edhe verifikimi i prejardhjes së pasurisë së të punësuarëve në sektorin publik. Por, të punësuarit në DAP dhe Dogana zotohen se do të futen në grevë të përgjithshme duke bllokuar sistemin.

 “Nuk ka asgjë zyrtare në dokumente si paralajmërime që thuhen, sa ju përket pagesës së pagave apo të pikave kufitare ajo nuk mund të ndodh. Ka ligj për rregullimin e të drejtave si definohet procedura grevës. Mendoj se nuk e kanë për qëllim nga DAP dhe Dogana të mbyllin sportelet dhe doganat,” deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

 Pse qeveria është e bindur se institucionet nuk do të bllokohen, nuk morëm përgjigje. Por, tani revolta e përfaqësuesve të këtyre dy institucioneve është më e lartë se sa paraqitet nga autoritetet. Ata shprehen të gatshëm të futen në grevë të përgjithshme nëse nuk u rriten pagat nga 30%. Përgjigja e autoriteteve në plan afatgjatë është përpilimi i metodologjisë së pagave dhe marrëveshjes kolektive, për të cilat janë në bisedime në Këshillin socio-ekonomik, por tani që u troket kriza në derë, paralajmërojnë “veting”.

 “Ajo është përgjegjësi e të gjithëve që janë në funksione shtetërore dhe në sektorin publik të verifikohet gjendja pasurore, por të kryhet edhe vetingu si proces që do ishte kyç për integritetin e institucioneve. Mendoj se në kuadër të normave ligjore me kohë duhet të bëhet patjetër edhe ky proces,” u shpreh Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

Për funksionarët e shtetit rritja e pagave prej 78% u zbatua menjëherë, kurse për DAP dhe Doganën, tani autoritetet kërkojnë interpretimin autentik nga Kuvendi. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Bytyqi, e zhvendosi topin në Kuvend, kur u pyet për pagat e punonjësve të DAP dhe Doganave, duke thënë që nëse Kuvendi konfirmon që këto dy institucione duhet të kenë rritje të pagave sikurse të punësuarit në Ministrinë e Financave, atëherë do të votohet në seancë qeveritare dhe do të zbatohet rritja, por duke mos u theksuar se sa do të zgjasë ky proces. /alsat.mk