Shpërthime në Odessa, Zelensky: Trupat tanë po avancojnë. Mbi 220 mijë ushtarë rusë të vrarë

Një seri shpërthimesh u dëgjuan gjatë natës në qytetin port të Odessa-s në jug të Ukrainës. Mediat vendase raportuan se autoritetet ushtarake kanë aktivizuar mbrojtjen ajrore në të gjithë rajonin. Të hënën në mëngjes, administrata ushtarake rajonale e Odessa-s raportoi se trupat ruse lëshuan katër raketa lundrimi të tipit Kalibr nga Deti i Zi, të cilat u shkatërruan të gjitha në qiell nga forcat e mbrojtjes.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha të dielën se luftimet më të ashpra janë në frontin jugor dhe vlerësoi forcat e Kievit për zmbrapsjen e sulmeve ruse në lindje.

“Trupat ukrainase po përparojnë, pozicion pas pozicioni, hap pas hapi dhe po ecin përpara”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njofton se afro 220,000 rusë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Ndërkohë OKB-ja ka akuzuar Rusinë se vazhdon të bllokojë dërgesat e ndihmave humanitare në zonat e kontrolluara nga Moska në Ukrainën lindore, të cilat janë goditur nga plasja e digës Kakhovka.

Shpërthimi i barrierës përmbyti pjesë të mëdha të rajonit Kherson, duke detyruar mijëra të largohen dhe duke rritur frikën për një fatkeqësi mjedisore.