Nëse vitin e kaluar në liqenin e Ohrit këtë periudhë banorët lokalë dhe turistët notonin, tani për shkak të ndryshimit të motit temperatura e ujit është 19 gradë. Sipas analizave të Qendrës për Shëndet Publik cilësia e tij është e lartë respektivisht e kategorisë së parë dhe të dytë.
“Kemi disa mostra në pjesën e Strugës, rreth pjesëve të notit në qendër të qytetit, kemi dy vende të kategorisë së dytë dhe janë në rregull në aspektin mikrobiologjik, por sipas rregullores ligjore, të gjitha ujërat e kategorisë së parë dhe të dytë mund të përdoren për not, sport dhe pushim”, tha Sasho Toçkov- drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik, Ohër.
Në anën e liqenit të Ohrit shqetësues është cilësia e ujit pranë klubit të lundrimit “Biljanini Izvori” dhe kanalit të Studençishtit.
“Tubacioni që rrjedh këtu…është marrë mostër nga gypi dhe këtu uji është i kategorisë së pestë, që nuk është i duhur në aspektin mikrobiologjik, që do të thotë se ky ujë ndot drejtpërdrejt kanalin e Studençishtit, “Biljanini Izvori” dhe liqenit të Ohrit”, u shpreh Sasho Toçkov- drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik, Ohër.
Ambientalistët paralajmërojnë se ndotës të liqenit janë edhe objektet turistike dhe gastronomike dhe se shërbimet kompetente inspektuese duhet të marrin masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi.
“Ka disa ndotës, kryesisht hotele dhe objekte gastronomike të vendosura përgjatë bregut të Ohrit nga Peshtani, pastaj në jug nga qyteti i Strugës deri në Radozhdë, të cilat ende nuk janë përfshirë në sistemin kolektor…”, deklaroi Gjoko Zoroski- ambientalist.
Ndotës potencial janë edhe shtëpitë private në fshatin Radozhdë që ende përdorin gropa septike, pastaj pjesa e vjetër e Ohrit, rajoni rreth plazhit të Saraishtes dhe Kaneo. Ujin gjithashtu e ndotin lumenjtë Grashnica dhe Sateska. /Alsat.mk