Dy gola spektakolarë, Shqipëria merr fitoren e parë në rrugëtimin drejt “Euro 2024”

Shqipëria vuan, por triumfon me meritë ndaj Moldavisë dhe merr tre pikët e para në rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe, Europianit Gjermani 2024. Ashtu siç pritej, sfida rezultoi shumë e komplikuar për kuqezinjtë e Sylvinhos, që vuajtën jo pak ngjeshjen e moldavëve në mbrojtje, teksa në pjesën e parë u ndalën edhe nga traversa, që i mohoi një gol spektakolar Cikalleshit.

Megjithatë askush nuk mund të ndalte Jasir Asanin në fillim të pjesës ë dytë, kur lëshoi një goditje spektakolare me të majtën nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetën e portës moldave, duke ndezur festën kuqezi në stadium.

Një përqafim me trajnerin Sylvinho, i cili i besoi dhe e solli në Kombëtare nga Koreja e Jugut, teksa sulmuesi ia shpërbleu më së miri, me të dytën ndeshje si titullar dhe golin e parë me fanellën kuqezi.

Avantazhi vë në pozita komode kuqezinjtë, që menaxhojnë mirë ndeshjen dhe madje gjejnë edhe golin e dytë, këtë herë me fantazistin Nedim bajrami, që 15 minuta para  fundit, vulosi suksesin për të besuarit e Sylvinhos.

Një gol tërësisht i merituar për Nedim Bajramin, që u pa qartë se kishte një tjetër marsh që në fillim të takimit dhe pas shumë tentativash, u shpërblye me topin që u ndal në rrjetë për të vulosur tre pikët e kuqezinjve.

Sylvinho i gëzohet kështu fitores së parë në pankinën e Shqipërisë, por nuk ka kohë për festë, pasi tri ditë më pas na pret transferta me Ishujt Faroe, një tjetër ndeshje ku marrja e tre pikëve është detyrim, për të ëndërruar Europianin e 2024-ës.