Përderisa ka 200 forma të ndryshme të përllogaritjes së pagave në sektorin publik, me ligje të ndryshme, akte nën ligjore dhe rregullore të brendshme, nga Sindikata e SPOGJ kërkojnë t’i jepet fund kësaj rrëmuje. Por, fundi nuk i shihet ngaqë autoritetet nuk bien dakord për metodologjinë e re të unifikuar të pagave. Sindikalistët këmbëngulin që të përdoret praktika e njëjtë si funksionarët që ia rritën pagat vetes pagat me 78%, ngaqë pagat aktuale të tyre nuk mjaftojnë as për t’i përmbushur nevojat elementar të familjeve të tyre.
“Metodologjia dëshmoi se është e mirë në rastin e funksionarëve me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Paga mesatare + koeficienti dhe arritën në 78% rritje të pagës dhe kjo metodë do të ishte e pranueshme që edhe ne e kërkojmë për ta mbijetuar muajin, të paguajmë faturat, të paguajmë kreditë dhe të mundi fëmijëve tanë tu sigurojmë kafshatën e bukës. Kaq kërkojmë! Inflacioni na hëngri pagat në vendin tonë, dy-tre vjet më herët kur filloi pandemi dhe kriza energjetike tani edhe lufta në Ukrainë në nuk kemi pas asnjë rritje të pagave për dallim nga vendet tjera të rajonit dhe mos të flas për vendet e BE-së,” tha Tërpe Deanoski, Kryetar i SPOGJ-it.
Për çfarë, në fakt, nuk merren vesh sindikalistët me autoritetet!? Ministri i Financave Fatmir Besimi dhe adashi tij, Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, thonë se dhanë propozimin e njëjtë si para 4 muajsh por të zbatohet më herët, jo në mars të 2024 por që nga shtatori i këtij viti. Kurse, kërkesa e SPOGJ-it në mbledhjen e fundit të Këshillit Socio-Ekonomik e propozuan të zbatohet në 2028.
“Nuk na është pranuar kërkesa e sindikatave që paga të llogaritet në mënyrën e njëjtë siç kalkulohet paga e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Kjo nënkupton paga mesatare të jetë me 1 koeficient për të gjithë të punësuarit e tjerë në sektorin publik. Sërish kthehemi në gjendjen që e kemi aktualisht që është paga minimale me shtim të pikëve dhe vlerësimi i koeficientit të rritet çdo vit paralelisht me rritjen e pagës minimale. Këtu kemi problem të madh! Vlerësimi i koeficientit do të shtohet në një pjesë të rritjes së pagës minimale, kurse parashikimet janë që vitin 2024 paga minimale do të rritet 9%, kurse në 25-26 do ë rritet vetëm 4%. Nëse do të ishte modeli që ne nuk e pranuam, duhet nga ato 4% të marrim 0,2%,” deklaroi Tërpe Deanoski, Kryetar i SPOGJ-it.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës dhe Shoqërisë Informative në 3 vitet e fundit mbi 3.500 të punësuar në sektorin publik kanë braktisur punën për të vazhduar në sektorin privat ose për të punuar jashtë vendit dhe pagat janë arsyeja kryesore e dorëheqjes së tyre. Nga ana tjetër autoritetet thonë se sektori publik, posaçërisht administrata shtetërore është e stërmbushur me të punësuar që nuk kanë produktivitet në punë. Me rritjen eventuale të pagave, një ndër hapat pritet të jetë ri sistemimin i tyre. /alsat.mk