Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë të ekstern sot nga ora 10:00. Provimi i sotëm është fakultativ dhe ata mund të zgjedhin një nga shtatë lëndët e ofruara.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, si vitet e kaluara, më të regjistruarit (13.922) janë për provimin e gjuhës angleze, 1.397 për matematikën, 29 për frëngjisht, 122 për gjermanisht, 17 për rusisht, 81 për estetikë.
15.620 maturantë janë regjistruar për të dhënë provimin e maturës shtetërore në periudhën e provimeve të qershorit të këtij viti. Prej tyre, 6750 janë të arsimit të mesëm, 8598 të arsimit të mesëm profesional dhe 272 të arsimit të mesëm artistik.
Më 27 maj u mbajt provimi i parë i jashtëm – Gjuhë amtare dhe letërsi, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët. Për gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar 10.768 maturantë, për gjuhë dhe letërsi shqipe 4.380 dhe për gjuhë dhe letërsi turke 357.