Ish-ambasadori amerikan në RMV, Jess Baily, beson se do të ishte zhgënjim nëse do të kishte një veto të re bullgare për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Baily thotë se “SHBA do të zhgënjeheshin nëse do të ndodhnin veprime të mëtejshme të kësaj natyre”.
“Fatkeqësisht, tani ju keni këtë veton bullgare për ta çuar procesin përpara. Ekziston një zgjidhje e qartë e paraqitur atje. Jo të gjithë e pëlqejnë këtë zgjidhje. Por mendoj se pesë vjet që nga tani me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, pra pesë vitet e ardhshme, njerëzit do ta shohin se ky është një hap pozitiv për vendin”, vlerëson Baily
Ai thotë se ndryshimet kushtetuese do ta forcojnë pozitën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa problemi i Bullgarisë është se nuk e njeh pakicën maqedonase edhe përkundër vendimeve të Gjykatës në Strasburg.
“Ata kanë sistemin e tyre. Nuk e kuptoj pse dikush nuk do të njihte një grup në vend. Une nuk e di. Secili vend ka mënyra të ndryshme për ta bërë këtë”, thekson Baily