Zelensky: Të paktën 500 fëmijë ukrainas të vrarë në luftë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se lufta e Rusisë, tani në muajin e 16-të, i ka lënë të vdekur, të paktën 500 fëmijë ukrainas.

Zelensky i ka bërë këto deklarata, pas operacionit të nxjerrjes së trupit të një dyvjeçareje nga rrënojat, e cila ka vdekur të shtunën në qytetin ukrainas Dnjipro, si pasojë e sulmeve ruse.

Presidenti ukrainas, ka thënë përmes një deklarate se, “armët ruse dhe urrejtja, e cila vazhdon të marrë dhe të shkatërrojë jetët e fëmijëve ukrainas çdo ditë”, i ka vrarë qindra fëmijë, prej nisjes së luftës më 24 shkurt 2022.
“Shumica prej tyre do të mund të bëheshin shkencëtarë të njohur, artistë, kampionë sporti, apo të kontribuonin në historinë ukrainase”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë se është e pamundshme që të dihet numri i saktë i fëmijëve që kanë vdekur, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, dhe për faktin se disa territore ukrainase tani janë nën pushtimin rus.

“Ne duhet të mbahemi dhe ta fitojmë këtë luftë!” ka thënë presidenti ukrainas.

“E gjithë Ukraina, të gjithë njerëzit, të gjithë fëmijët, duhet të çlirohen prej këtij tmerri rus”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.