Mësimdhënësit në Maqedoninë e Veriut u druhen pasojave të reformës

Sindikatat e arsimit në Maqedoninë e Veriut kanë dalë kundër reformës në arsimin fillor që ka nisur të aplikohet në këtë shtet tash e disa vjet me radhë.

Nga shtatori, reforma do të përfshijë klasën e gjashtë të arsimit fillor, me bashkimin e lëndëve mësimore në dy grupe, në lëndën e shkencave të natyrës dhe lëndën shoqërore, që do të përfshijnë lëndët e deritashme: Gjeografi, Histori, Kimi, Fizikë, Biologji etj.

Sipas projektimeve të Ministrisë së Arsimit, me këtë reformë që ka nisur të zbatohet nga viti 2020, fillimisht me paralelet e ciklit të ulët, synohet që nxënësit e klasave të gjashta të mos kenë më shumë se pesë apo gjashtë lëndë nga më shumë se dhjetë sa kanë aktualisht.

Reforma pas një viti do të përfshijë klasën e shtatë dhe viteve të tjera klasat e teta dhe nënta.

Por, Sindikata e Pavarur e Arsimit, thotë se një reformë e tillë nuk është e konceptuar si duhet dhe se po bëhet pa u konsultuar punonjësit e arsimit.

Tomisllav Gievkski, drejtues i sindikatës druan se nga shuarja e lëndëve shumë mësimdhënës do të mbeten pa punë.

Ai, por edhe punonjës të tjerë të arsimit, thonë se nuk janë të njoftuar me përmbajtjen e reformës, apo se kush do të ligjërojë lëndën pas bashkimit me lëndë të tjera.

“Ne, kategorikisht jemi kundër bashkimit të lëndëve mësimore. I gjithë opinioni duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjnë me një reformë të keqe. Bashkimi i lëndëve të Gjeografisë, Historisë, Etikës, Arsimit qytetar, Fizikës, Kimisë, Biologjisë, Informatikës në disa lëndë nuk është gjë tjetër përveçse eksperiment në arsim. Kjo rrezikon mundësinë e uljes së fondit të orëve dhe paraqitjes së tepricës teknologjike, apo largimeve nga puna”, thotë Tomisllav Gievski, drejtues i Sindikatës së Pavarur të Arsimit.

Pakënaqësi me reformën ka edhe Samir Memeti, mësimdhënës i Historisë, sipas të cilit, reforma duhej të bazohej në praktikat e shteteve të zhvilluara dhe jo të bëhet për të dështuar menjëherë pas aplikimit të saj në praktikë.

“Reformat nuk mund të bëhen njëanshëm, reformat nuk mund të bëhen pa konsensus me ata të cilët janë të përfshirë në procesin edukativo-arsimor. Nuk mundet që nga kjo reformë të humbet lënda e Historisë dhe e Gjeografisë. Çfarë qëllimi do të arrijmë ne nga një reformë e tillë? Këtë ndoshta mund ta dinë vetëm ata, të cilët e kanë sjellë këtë vendim. Ata duhet të mësojnë nga sistemet tjera, nga shoqëritë e zhvilluara evropiane. S’di nga i kanë kopjuar apo ku i gjejnë këto reforma”, thotë Memeti.

Prindërit, kundër digjitalizimit të librave dhe njësive të reja mësimore
Por, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka thënë se në këtë reformë kanë punuar ekspertë të fushës dhe se qëllimi është rritja e efikasitetit dhe ngritja e cilësisë në arsim.

“Miratimi i konceptit të ri arsimor vjen pas një analize që ka të bëjë me ngarkesën e madh që kishin nxënësit në programet mësimore dhe analizat e shumë ekspertëve kanë ardhur në përfundim se nxënësit duhet të kenë më pak lëndë brenda programeve mësimore. Ata do t’i mësojnë lëndët në bazë të moduleve, temave dhe ndërthurjes së temave në lëndë të caktuara”, thotë Shaqiri.

Ai, gjithashtu, ka përjashtuar mundësinë që nga reforma të ketë shkurtime të vendeve të punës, siç druajnë punonjësit e arsimit.

“Unë dua t’i siguroj të gjithë mësimdhënësit në klasën e gjashtë se do të kenë fondin e njëjtë të orëve në bazë të organizimeve dhe normativave që do të përgatiten nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Në qoftë se vërejmë se kemi dëme qoftë për procesin mësimor apo dëme për mësimdhënësit, jam i hapur që asnjëherë, askush që të mos dëmtohet brenda këtij procesi, qoftë nxënësit që kanë filluar në reformë nga e cila presin rezultate apo edhe mësimdhënësit që janë të kyçur në procesin edukativo-mësimor”, shprehet Shaqiri.

Mirëpo, mësimdhënësit thonë se problemi me reformat, të cilat pësojnë ndryshime të shpeshta, por edhe mungesa e librave, ka bërë që të ulet cilësia e arsimit, gjë të cilën sipas tyre e konfirmojnë dhe rezultatet gjithnjë e më të dobëta që tregojnë nxënësit në testin PISA.

Reforma në arsim, me programe të reja mësimore dhe me shkurtim të orëve mësimore, ishte paralajmëruar edhe para pesë viteve nga ish-ministrja e Arsimit, Renata Deskovska, por edhe në vitin 2020 nga pasardhësja e saj, Milla Carovska. /REL