Ambasadorja amerikane Aggeler: Maqedoninë e presin vendime të vështira, por ne jemi aty

Maqedoninë e presin vendime të vështira, por Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten miku juaj më i madh, tha ambasadorja amerikane Angela Ageler me rastin e përvjetorit të parë të fillimit të dialogut strategjik mes dy vendeve. Maqedonia është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nis një dialog të tillë me Shtetet e Bashkuara, i cili u zhvillua në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Departamentit të Shtetit, përcjell KlanM.

“Përvjetori i dialogut tonë strategjik është një mundësi për të reflektuar mbi më shumë se tre dekada të partneritetit amerikano-maqedonas, atë që kemi arritur së bashku dhe sfidat e përbashkëta përpara. Rruga e vendit drejt këtij momenti vendimtar të historisë së tij nuk ka qenë e lehtë dhe vendime të vështira janë përpara. Por Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë gjithmonë mbështetësi juaj i vazhdueshëm dhe miku më i madh. Ne do të jemi me ju krah për krah ndërsa të arrini qëllimet tuaja të sigurisë, prosperitetit dhe mundësive brenda komunitetit evropian”, tha Ageler.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili udhëhoqi dialogun me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, tha se ky është një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe dhe një hap logjik përpara pas gati 30 vjetësh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe 15 vjet partneriteti strategjik me SHBA.