Komisioni Rregullator i Energjetikës sipas të gjitha gjasave nuk do t’i pranojë kërkesat e kompanive energjetike për rritje të rrymës prej 13%. Ky është qëndrimi i ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Sipas tij, çmimi i energjisë do të jetë në interes të qytetarëve dhe mbrojtjes së standardit jetësor të tyre.
“Vitin e kaluar kompanitë energjetike kërkonin rritje, nëse ju kujtohet, deri në 78 për qind, disa kompani tejkaluan edhe mbi 100 për qind. Nuk është e rëndësishme sa kërkojnë ata. Është e rëndësishme se sa do të miratohet nga KRRE dhe cili do të jetë çmimi që do t’ia përcaktojë Qeveria EMV-së, e cila do ta caktojë furnizuesin universal, në këtë rast EVN-në, një çmim që vlen për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, që do të thotë se, rritja prej 13 për qind që është kërkesë e kompanive energjetike, ndoshta nuk do të pranohet”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Për momentin nuk dihet se cili do të jetë çmimi që kompania shtetërore EMV do t’ia ofrojë kompanisë EVN Home, sepse oferta ende nuk i është dorëzuar Qeverisë, e cila duhet ta miratojë apo korrigjojë në seancë. Kërkesat e kompanive energjetike për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind bazohen në rritjen e shpenzimeve. Deri në fund të këtij muaji Komisioni Rregullator duhet të marrë vendim nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, i cili do të fillojë të zbatohet nga 1 korriku. /Alsat.mk