Pas një dite të tensionuar dhe të dhunshme, situata në veriun e Kosovës sot është më e qetë. Në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok kishte më pak protestues, ndërkohë forcat e KFOR-it kanë vendosur tela me gjemba para objektit të Komunës së Zveçanit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se disa gazetarë, që po përcjellin ngjarjet në veri, sërish kanë cak i një morie sulmeve. AGK-ja ka thënë se persona të maskuar kanë sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme në Leposaviq dhe njërit medium i është thyer kamera. Po ashtu, në këtë komunë, sipas organizatës, gazetarët janë sulmuar edhe me gjësende të forta nga protestuesit serbë.
Sërgjan Millosavleviq, ish-kryesues i Kuvendit Komunal në Zveçanin tha se pos kërkesës për tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë, serbët tani kërkojnë edhe lirimin e të arrestuarve gjatë protestës së djeshme.
“Ne kërkojmë lirinë për qytetarët tanë të arrestuar padrejtësisht Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, është e drejtë e jona por edhe obligim moral që nëse nuk lirohen, të mblidhemi nesër në të gjitha komunat e veriut të Kosovës në numër më të madh se dje”, tha Sërgjan Millosavleviq, Ish kryesues i Kuvendit Komunal në Zveçan.
Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim. NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter. Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë, ashtu që KFOR-I të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.
Shefi i diplomacisë së BE-së Zhozef Borell tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”. Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Pres nga Kosova të pezullojë operacionet policore të lidhura me ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të ndalen. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar me dy liderët” që të ndalen protestat”, u shpreh Zhozef Borell, Shef iu Politikës së Jashtme të BE-së.
Borrell tha se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se i ka ftuar “ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte”. Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti e presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do të udhëtojnë për në Bratislavë për të marrë pjesë në forumin global të sigurisë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it kërkoi tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, ashtu si edhe të kryetarëve të komunave me kombësi shqiptare. Vuçiq takoi edhe ambasadorin rus në Beograd, ndërkohë Kina dhe Rusia kanë mbështetur kërkesat e serbëve.
Ndërkohë një ekip i mjekëve ushtarakë udhëtoi nga Hungaria për në Kosovë, për t’u kujdesur dhe kthyer në shtëpi ushtarët hungarezë të KFOR-it, që u plagosën gjatë përleshjeve në Zveçan me protestuesit serbë. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën. Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, njoftoi se 30 ushtarë, mes tyre 19 hungarezë dhe 11 italianë u plagosën në përleshjet e një dite më parë. Sipas KFOR-it, tre ushtarë hungarezë janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit”, por “nuk kanë plagë vdekjeprurëse”. /Alsat.mk