Situatë e tensionuar në veri të Kosovës

Situatë e tensionuar në veriun e Kosovës, sidomos në Komunën e Zveçanit. Serbët e mbledhur në një protestë të thirrur nga “Lista Serbe” u përpuqën disa herë që të thyejnë kordonin e policisë për të hyrë në objektin e Komunës për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat. KFOR-i ka bërë thirrje për përmbajtje nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim. Kryetari i Listës Serbe, organizatorë të protestës, i ka bërë kërkesë KFOR-it, që e ka rrethuar perimetrin rreth Komunës, që të largohen veturat e Njësitit Special të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarë të KFOR-it nga ana tjetër kërkojnë nga përfaqësuesit e Listës Serbe që t’u mundësojnë tri automjeteve të Policisë së Kosovës, të parkuara para ndërtesës komunale në Zveçan, të lëvizin, dhe policëve që janë brenda, të hyjnë në ndërtesën e komunës. Një gjë të tillë janë duke e kundërshtuar protestuesit serbë, të cilët kërkojnë nga Policia e Kosovës që të largohet nga kjo zonë. Policët, që gjenden në ato automjete prej orëve të hershme të mëngjesit, refuzojnë të largohen. Ndërkohë protestuesit në Leposaviq ua kanë shpërthyer gomat veturave të mediave, ndërkohë gjatë protestës ata kanë vendosur edhe simbole nacionaliste në automjetet e policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se situata në veri të vendit duhet të qetësohet si dhe duhet zbatuar Marrëveshja Bazë e arritur në muajin shkurt në Bruksel. Ai ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, me të cilin tha se janë pajtuar për këto çështje.

Nga ana tjetër, pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha se bashkësia ndërkombëtare është “thellësisht e shqetësuar” për situatën në veri të Kosovës. Ai theksoi nevojën për de-eskalim të situatës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar. E përsëris, nuk është mister që Qeveria amerikane dhe qeveritë e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike”, tha Xhefri Hovenier, Ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të tërheqin forcat speciale të Policisë dhe të ulën në tavolinë për të negociuar.

“Dialogu brenda Kosovës është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje dhe kjo është arsyeja pse unë të paktën u bëj thirrje autoriteteve kosovare që të mendojnë për të marrë masa për ndërtimin e besimit, për shembull siç është tërheqja e forcave speciale të Policisë dhe të ulen në tavolinën e negocimit”, u shpreh Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se ka dislokuar njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksandar Vuçiq për rritjen e gatishmërisë luftarake. Ministri serb i Mbrojtjes tha se KFOR-i po mbron Policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj të komunave, të cilët ai i quajti “uzurpatorë të demokracisë”.

Shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cilësoi si reagim të vonuar të këtij misioni.

“Mandati i tyre është që të mbrojnë paqen, stabilitetin dhe njerëzit. Ata sot nuk po mbrojnë njerëzit dhe institucionet. Ata po mbrojnë uzurpatorët”, deklaroi Ana Bërnabiq, Kryeministre e Serbisë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se detyrë e KFOR-it është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”, e “jo t’i pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat komunale”. “Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, ka thënë Daçiq.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën më 23 prill, pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe dhanë dorëheqje. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. /Alsat.mk