Përkatësia etnike edhe në certifikatat e lindjes

Me udhëzues të ri për ndryshim të certifikatave të lindjes, certifikatave të kurorëzimit dhe certifikatave të vdekjes, Ministria e Drejtësisë synon të zgjidhë problemin me vetëdeklarimet e rrejshme të përkatësisë etnike gjatë punësimit. Ministri Krenar Lloga do ta firmosë udhëzuesin e ri të hënën. Ai këtë e kishte konfirmuar më herët për Alsat duke shtuar se nuk ka nevojë për ndryshime të tjera ligjore që të shmangen keqpërdorimet.

“Me këtë do të mundësohet që me dokument zyrtar të dëshmohet përkatësia etnike. Për çdo keqpërdorim eventual të përkatësisë etnike do të mund të hapen procedura penale për deklarim të rrejshëm. Edhe palët në procedurë (në rast punësimi) mund të parashtrojnë ankesë por edhe padi për keqpërdorim, në rast se institucioni u shmanget dokumenteve zyrtare”, tha Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.

Mundësia për të vetëdeklaruar përkatësinë etnike pa pasur dokument për konfirmimin e saj, kishte lënë hapësirë për keqpërdorime gjatë punësimit në institucionet shtetërore. Në rastet kur balancuesi kishte llogaritur se në një institucion të caktuar, për t’u arritur përfaqësimi i drejtë etnik, duhet të punësohen persona që i takojnë një etnie të caktuar, aplikuesit për atë vend punë nuk hezitonin të vetëdeklaronin rrejshëm përkatësinë etnike, për t’ju përshtatur konkursit. Me këtë, në vendet e rezervuara për shqiptarë, romë, turq, etj., punësoheshin qytetarë të përkatësisë maqedonase, ose edhe anasjelltas. Alsat ka informuar për dhjetëra raste të tilla, kurse më i fundit ishte ai me punësimin e tetë maqedonasve në Komunën e Kumanovës, të cilët gjatë punësimit ishin deklaruar si shqiptarë. Manipulimet e këtilla i bëjnë të dyshimta shifrat e përfaqësimit të drejtë etnik që publikon secilin vit Avokati i popullit, e të cilat tregojnë rritje të vazhdueshme të punësimit të shqiptarëve, turqve, romëve dhe etnive pakicë nëpër institucionet shtetërore. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, javë më parë për Alsat tha se nuk beson që ky keqpërdorim është ai i zakonshëm.

“Pasi që ju mund të keni një emër i cili është deklaruar shqiptar dhe ai mund të jetë nacionalitet tjetër ose e kundërta, në këtë aspekt besoj se këto numra nuk janë shumë të saktë, nuk janë numra që na japin saktësi të madhe, megjithatë lart-poshtë aty duhet të qëndrojnë. Edhe keqpërdorimi, besoj, dua të besoj se nuk është më shumë se, le të themi, 0.5%, por edhe më pak”, u shpreh Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Balancuesi si mekanizëm për të siguruar përfaqësim të drejtë etnik në institucione ishte rezultat i Marrëveshjes së Ohrit. Keqpërdorimet e tij kanë filluar gjatë viteve të fundit kurse zgjidhja ishte premtuar disa herë dhe nuk ishte arritur. /Alsat.mk