Ukraina thotë se Rusia ka dështuar me sulmet e reja me dronë

Mbrojtja ajrore e Ukrainës zmbrapsi të 36 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës në qytete të shumta duke përfshirë Kievin, thanë autoritetet ukrainase të enjten.

“Nuk ishte një natë e lehtë. Ndërsa armiku vazhdoi të terrorizonte Ukrainën, ata përdorën 36 Shaheds [dronë sulmues]. Asnjë prej tyre nuk e arriti objektivin”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në një deklaratë.

Kievi në veçanti ishte vendi i një “sulmi masiv” sipas shefit të mbrojtjes së kryeqytetit.

Në Ukrainën perëndimore, Komanda e Forcave Ajrore të vendit tha se rusët kishin shënjestruar infrastrukturën kritike dhe instalimet ushtarake.

Në jug, forcat ukrainase shkatërruan tre dronë mbi rajonin e Mykolaiv dhe një dron mbi Odesa, tha në një deklaratë Komanda Operative Jugore.