Ligjet për autostradat, në votim të premten

Shumica parlamentare pret që deri në fund të javës të votohen të pesë ligjet me flamur të Bashkimit Evropian, të cilët thonë se do të përshpejtojnë procedurën për ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D. I fundit për diskutim ishte Ligji për konfirmimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për ndërtimin e autostradave. VMRO-DPMNE-ja tha se deputetët e shumicës do të votojnë ndryshime ligjore për një marrëveshje të cilën nuk e ka parë opinioni por as ata vetë.

“Ata që janë përgjegjës dhe që e sjellin vendimin final në këtë Kuvend nuk mundet dhe nuk guxojnë të mos e shohin marrëveshjen e cila ngjall dyshime për shkak se ju u përpoqët ta fshihni nga opinion maqedonas. Nëse nuk kishte asgjë për t’u fshehur nga kjo marrëveshje nuk shoh asgjë kontestuese që të publikohet siç janë publikuar të gjitha marrëveshjet për ndërtim në kohën e qeverisë së VMRO-DPMNE-së”, tha Eli Panova, VMRO-DPMNE.

Sipas opozitës, marrëveshja u mundëson kompanive private të angazhuara në projekt të sigurojnë automjete, derivate dhe materiale të tjera pa paguar tatim dhe akciza.

“Kompani private do të ketë të drejtë ekskluzive t’i importojë automjetet e lartpërmendura pa asnjë tatim, do të importojë edhe energensa pa TVSH dhe do të ketë të drejtë për kthim të akcizës. Në vend se këto mjetet të rrinë në buxhet, ata do të kthehen dhe do të mbesin te një firmë private”, u shpreh Lidija Petkovska, VMRO-DPMNE.

Sipas pushtetit, asnjë kompani private nuk lirohet nga tatimi. Ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se vetëm investitori “Rrugët shtetërore” do të lirohet nga tatimi indirekt për shkak se mjetet gjithsesi do të duhet të sigurohen nga buxheti.

“Askush nuk lirohet nga tatimi. Tatimin e fitimit do ta paguaj secili, për aq sa fiton, si çdo firmë tjetër. Tatimi i të ardhurave personale, kontribute do të paguajnë të gjithë, edhe operatorët edhe nënkontraktuesit. Secili që do të punojë në këtë projekt do t’i paguajnë të gjitha tatimet si të gjitha firmat e tjera në secilin aktivitet ekonomik në vend. Të liruar do të jenë nga të ashtuquajturat tatime indirekte, ata që janë shpenzim për investitorin. Në rastin konkret investitor është ndërmarrja Rrugët Shtetërore”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Secili nga pesë ligjet kalon shqyrtimin edhe në seancë plenare kurse votimi do të bëhet njëherësh. Shumica beson se votimi do të bëhet deri të premten. /Alsat.mk