Ukraina i ka dërguar Maqedonisë së Veriut kërkesë të re për ndihmë ushtarake, e cila aktualisht është duke u shqyrtuar nga Shtabi i Përgjithshëm.
Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, tha se kërkesa është duke u analizuar dhe nëse Qeveria merr vendim shtesë për dërgimin e ndihmave ushtarake do të njoftohet opinioni.
“Po bëhet analizë, jemi të hapur përderisa ka nevojë për mbështetje”, tha Petrovska.
Ajo sqaroi se kjo është kërkesë e klasifikuar, andaj nuk mund të jep detaje se çfarë lloj armësh i duhen Ukrainës.
“Informacioni për ndihmën që tashmë është dërguar është deklasifikuar dhe bërë publik”, tha ministrja.
Maqedonia e Veriut tashmë i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës, pas agresionit të cilin ndaj saj e filloi Rusia.