Shkruan: Nebi Dervishi
Më 21 dhjetor 2012, mbushen plotë 70 vjet nga hapja e shkollës së parë në gjuhën shqipe “Iljaz Podgorca” në fshatin Podgorcë të Strugës.
Prej se në Strugë filloi jeta (civilizimi), nga neoliti i vonshëm, kërkujt si ra ndërmend se ky qytet me fshatrat pë rreth do të zhvillohet si nevojë e përditshmërisë së zakonshme, kurse jeta në të do të sjellë edhe mjaftë të papritura.
Nëse ndonjëherë të bie ndërmend Struga, ose po të shkruash për të, gjithnjë para syve të dalin lumi, liqeni, urat, hotelet, mbrëmjet e poezisë, festivali i këngës dhe valles shqipe. Këto janë atribute të cilat me vlerën e tyre e bëjnë të pakapërcyeshme imazhin e qytetit të bukur dhe piktoresk.
Qyteti i cili laget nga valët e liqenit të Ohrit dhe shtrihet gjërë e gjatë buz Drinit plak, frymonë këtu e pesmijë vjet pandërprerë. Dhe atij që vetëm një herë i ka rastisur të qëndrojë ose të ketë kaluar, një mbresë në kujtesë do t’i ketë mbetur. Prandaj, do të ishte i drejtë një vlerësim modest se, gërshetimi i dhuntive natyrore dhe specifikat e tjera e bëjnë të veçantë qytetin e Strugës me rrethinë.
Në këtë mjedis të përkatësive nacionale, konfesionale dhe kulturore të shumëllojshme, dhuntitë e natyrës dhe të mirat tjera nuk u përkasin të gjithëve, siç është rasti me fëmijët e fshatit Podgorcë, që institucionalisht, në dekadën e dytë të shekullit XXI nuk u lejohet mësimi në gjuhën amëtare e të bukur shqipe. Ndoshta këto janë pasojat e defekteve të “mekanizmit të natyrës”, ose defekte të “fateve historike”. Por, ndoshta edhe aftësia e mbijetesës.
Kthimi nga e kaluara të detyron t’i kërkosh gjurmët. Gjurmët e kohëve të cilat shënuan lindjen, lulëzimin dhe mbijetesën e kulturës së atyre që jetuan në këtë nënqiell.
Fshati Podgorcë shtrihet në anën perëndimore të Fushës së Strugës, territori i së cilës arrin deri në cepin e lartë të malit Jabllanicë, aty ku takohet me kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë. Fshati ka shtrirje kodrinore-malore sepse shtëpitë e lokalitetit ngrihen në 910 m. mbi nivelin e detit. Nga qyteti i Strugës, vendbanimi është largë 12 km. Atari i fshatit përfshin një sipërfaqe prej 13,6 km2 (567 ha pyje, 480 ha kullosa dhe 256 ha tokë buke).
Në vitet 1947-1948 në mes të fshatit, gjatë hapjes së themeleve për ndërtim është zbuluar nekropol që i përket antikitetit të vonshëm, i ndërtuar me pllaka guri.
Fshati Podgorcë është fshat i madh i Anadrinit (Drimkolit), që del të përmendet me të njejtin emër që në shekullin XVI në dokumentet osmane.
Në regjistrimin e vitit 1536-1539 në mes tjerash thuhet se fshati Podgorcë numëron 34 familje, 3 beqarë dhe 3 vejane.
Edhe në regjistrimin e vitit 1583, fshati Podgorc hynë në përbërie të Nahisë së Ohrit, e cila ishte në përbërie të Sanxhakut të Ohrit numëronte 50 persona, 30 familje dhe 20 beqarë dhe i paguante timarliut 5100 akçe në vit (1250 akçe ispenxhe; 25 barrë grurë – 1350 akçe; 15 barrë elb – 450 akçe; 15 barrë thekër – 450 akçe; 6 barrë mel – 180 akçe; 5 barrë tërshënë – 90 akçe; 1 barrë fier – 54 akçe; 2 barrë urof – 60 akçe; yshyri i shirës – 250 medra – 1500 akçe; yshyri i linit e konopit – 50 akçe; yshyri (taksa) e pemëve – 75 akçe; taksa e krymbit të mëndafshit – 75 akçe; taksa e lakrës – 20 akçe; taksa e gështenjës – 40 akçe; taksa e arrave – 120 akçe; taksa e kopshtarisë – 60 akçe; taksa e derrave – 30 akçe; taksa e kullotave (jajllaku) – mirrej nga të ardhurit prej jashtë fshatit – 60 akçe; kompenzimi mbi kashtën – 10 akçe; taksa e nijabetit së bashku me rojen dhe tapitë e tokës – 116 akçe).
Rrugëpërshkruesi gjerman G. Hahn, që ishte në shërbim të Austro-Hungarisë, në vitin 1863, në veprën “Udhëtimet në luginën e Vardarit e Drinës”, në faqen 386, në mes tjerash shkruan se: “gjysëm ore larg nga Labunishti, në jug shtrihet fshati Podgorcë me 60 shtëpi, gjysma janë shqiptarë e gjysma me përkatësi bullgare”.
Vicekonsuli Austro-Hungarez Aleksandar Kral, në Manastir, në vitin 1897, përpilon pasqyrën tabelare për Vilajetin e Manastirit, të cilën ia dërgonë shkëlqesisë së tij Ministrit të Punëve të Jashtme, Grofit Agemar Fon Golubovskit dhe oborrit perandorak në Vienë, ku në mes tjerash gjejmë të dhëna me mjaftë interesë për fshatin Podgorcë, që gravitonte në kuadër të Kazasë së Ohrit, si dhe në të njejtën kohë në përbërie të Nahisë së Strugës dhe numëron 166 shtëpi (familje) me 940 banorë, prej të cilëve 740 sllavë ekzartistë dhe 200 albanien gegen (shqiptarë gegë).
Etnologu bullgar Vasil Kënçov në vitin 1899-1900 njohton se fshati Podgorcë është në përbërje të Kazasë së Ohrit dhe numuron 122 shtëpi, prej të cilave 62 familje bullgare (242 meshkuj e 230 femra) me 472 frymë dhe 60 familje muhamedane (236 meshkuj dhe 238 femra) me 474 frymë, pra gjithësej 946 banorë.
Në vitin 1914, naçallniku i qarkut të Ohrit, Jovan Qirkoviq, në pasqyrën e numrit momental të rretheve dhe fshatrave në Qarkun e Ohrit, në mes tjerash shënon se fshati Podgorcë është në kuadër të komunës së Labunishtës dhe se ka 1137 banorë, prej të cilëve 594 banorë të krishterë (289 meshkuj dhe 305 femra) dhe 543 banorë muslimanë (291 meshkuj dhe 252 femra).
Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, elementi shqiptar në fshatin Podgorcë gjithmonë ka qenë prezent, megjithë masat represive që u përdorën nga sistemi sllavo-komunist. Kjo më së miri dëshmohet nga regjistrimet zyrtare.
-Në regjistrimin e vitit 1948 fshati Podgorcë numuron 1053 banorë, pa dhënë përkatësinë nacionale.
-Në vitin 1953 fshati numuron 1111 banorë (778 maqedonë, 57 shqiptarë, 273 turq dhe 3 të tjerë);
-Në vitin 1994 fshati Podgorcë numuron 2231 banorë, 1339 maqedonë; 103 shqiptarë; 465 turq dhe 319 të tjerë;
-Në regjistrimin e vitit 2002 në fshatin Podgorcë janë deklaruar mbi 600 shqiptarë.
Banorët e fshatit Podgorcë ndër shekuj kanë qenë liridashës dhe kanë marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës. Kështu vepruan edhe në Kryengritjen e Shtatorit të vitit 1913, e cila ishte e para kryengritje kundër pushtuesve serb për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Në bazë të dokumentave, banorët e Podgorcës, nën udhëheqjen e trimit Iljaz Podgorca, me armë në dorë morën pjesë në Luftën e Petrinjës në fillim të tetorit të vitit 1913 dhe dhanë kontributin e tyre në këtë betejë jo të barabartë.
Që nga Lufta e Parë Ballkanike 1912-1913, e deri në vigjiljen e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Fushëgropës së Strugës u privuan nga e drejta e mësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, prandaj gati të gjithë shqiptarët e këtij rajoni ishin analfabetë. I tërë angazhimi i Mbretërisë Jugosllave konsistonte në:
1.Shkombëtarizimi i popullsisë shqiptare dhe
2.Krijimi i hendekut në mes shqiptarëve dhe serbëve duke e bërë kështu gjendjen e padurueshme për shqiptarët.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore, përkatësishtë viti 1941, pati për rrjedhojë edhe shkatërrimin e Mbretërisë Jugosllave të Versajës. Si pasojë e shkatërrimit të saj ishin edhe disa korigjime të kufijve për një pjesë të shqiptarëve që banonin në trevat e tyre etnike e historike që iu bashkangjitën “Mbretërisë Shqiptare”.
Në vjeshtën e vitit 1941, në viset etnike shqiptare që u përfshinë në Prefekturën e Dibrës, me Dekret të ministrit prof. Ernest Koliqit, u emëruan 114 mësues.
Në Nënprefekturën e Strugës në vitin shkollor 1941-1942 u hapën gjashtë shkollat e para fillore të ciklit pesëvjeçar, me klasa me mosha të përziera, të gjitha me kuadër arsimor të ardhur, të cilat filluan të funkcionojnë në një hark kohor nga fundi i nëntorit dhe fillimit të dhjetorit. Gjashtë shkollat e para ishin: në Strugë, Radozhdë, Livadhi, Veleshtë, Ladorishtë e Labënishtë.
Në vitin shkollor 1942-1943 u hapën edhe tre shkolla të tjera: në Koroshishtë (7 maj); në Kalishtë (11 maj) dhe në Podgorcë, Shkolla Fillore “Iljaz Podgorca” më 21 dhjetor 1942.
Shkolla Fillore “Iljaz Podgorca” në vitin e parë shkollor (1942-1943) numuronte 113 nxënës (33 femra), me mësuesin pishtarë Tomor Starova nga Pogradeci. Në vitin shkollor 1943-44, punojnë dy mësues Tomor Starova dhe Theofan Dokja, por numri i nxënësve do të jetë vetëm 27 vetë.
Edhe në fshatin Podgorcë, në kuadër të Shkollës Fillore “Iljaz Podgorca” u organizuan kurse për zhdukjen e analfabetizmit për të moshuarit, numri i të cilëve më 21 dhjetor 1942 arrinë në 71 vetë, por deri në 31 maj 1943 numri i tyre ngel vetëm 43 kursistë. Edhe kursin me të moshuar e mbanin mësuesit pishtar Tomor Starova dhe Theofan Dokja.
Është një kënaqësi e rrallë të shkruash për mësuesit e parë, të cilët përhapën dritën e diturisë dhe çelën rrugën e arsimit shqip te shqiptarët e trevave Lindore. Por, kënaqësia më e madhe është të takohesh dhe të bisedosh me ndonjë prej tyre, natyrisht në moshë të thyer, që me plot mallë shpalos kujtimet nga jeta dhe puna në trojet etnike shqiptare, jashtë kufijve të shtetit kombëtar.
Një kënaqsi dhe një nderë të tillë përjetova edhe unë (autori i këti shkrimi) së bashku me mikun dhe studjuesin Zejnulla Qyra, me takimet e sheshta në Podgorcë dhe Strugë, me mësuesin e parë në shkollën e pare shqipe në fshatin Podgorcë të Strugës, i cili punoi këtu në vitet 1942-1944.
Pishtarit të arsimit, Tomor Starovës, i kujtohen ditët e rinis dhe ditët e para të mësuesit me një freski dhe nostalgji të papërshkruar. I kujtohen hapat e para kur i hodhi në fshatin Podgorcë të Strugës. “Në atë kohë ishim të rinj (22 vjeç), plot dëshirë dhe entuziazëm, të gatshëm për të punuar në çdo cep të atdheut. Sapo kishim mbaruar Normalen e Elbasanit, ku përveç edukatës pedagogjike kishim marrë edhe edukatën patriotike. Me gëzim të papërshkruar e prita emërimin tim për mësues në fshatin Podgorcë të Strugës, duke qenë kurioz dhe për gjendjen e popullit shqiptar jashtë kufijve të shetit, ku do të përhap dritën e diturisë për të mbrojtur integritetin e tij”. Kështu nis shpalosjen e kujtimeve të veta mësuesi Tomorr, për të vazhduar pastaj t’i radhisë njërën pas tjetrës të gjitha momentet e asaj periudhe të jetës së tij.
“Unë edhe fillimisht në vitin 1942. Së pari u drejtova në qendrën e Komunës së Labënishtë, ku takova shumë kolegë të mijë, si Dalip Zenelin, Nexhip Minarolin, etj., të cilët më bënë të ditur mbi gjendjen e arsimit në katundet e Anadrinit (Drinkolit)”.
Fshatarët më pritën me një entuziazëm të madh. Më priti edhe më shoqëroi kryeplaku i fshatit, Baftjari, një burrë i ndershëm dhe patriot. Së bashku me kryeplakun Baftjar shkuan në objektin e shkollës, e cila ishte në gjendje të mirë dhe se nuk i mungonin orenditë elementare për fillimin e punës edukative e arsimore.
Meqë fshati ishte miks (i përzier) nga dy kombësi fillimisht u shqetësova dhe nisa të mendohem, se a do të vinë fëmijët e pjesës së krishterë në shkollë. Por, shqetësimi ishte jetëshkurtër, pasi gati të gjithë fëmijët e fshatit filluan ta mësojnë shkrim-këndimin në gjuhën shqipe. Nuk më harrohet një moment, kur hoxha bashkë me priftin e fshatit, mi sollën fëmijët në shkollë dhe që të dy njihnin dhe e flisnin mirë gjuhën shqipe. Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Unë e pata më vështirë se kolegët e mij, të cilët punonin në fshatrat dhe në qytetin e Strugës. Para vetes mu shtrua një detyrë e vështirë, dhe mu deshtë një angazhim më i madh, por në fund ia arrita qëllimit, kur pash se puna ime dhe preokupimi i fëmijëve nuk shkuan kot. Vitin e dytë shkollor 1943-1944 u bënë dy mësues, mbasi erdhi edhe mësuesi Theofan Dokja. Në këtë vit shkollor, shkolla e fshatit Podgorcë u emërua me emrin “Iljaz Podgorca”- personalitet e shquar në të kaluarën e këtij fshatit. Në vjeshtën e vitit 1944, u larguan nga fshati Podgorcë, me çka u mbyll edhe cikli i mësimit në gjuhën shqipe, por megjithatë ne lamë gjurmë të nxënësit, të cilët mësuan me kënaqësi këngët patriotike shqipe, që jehonin në atë periudhë çdo ditë në ambientet e shkollës në oborr dhe nëpër rrugët e fshatit”.
Mësuesit Tomorr Starovës i kujtohen edhe shumë emra të nxënësve të parë në vitet e kaluara në Podgorcë, 1942-1944. Shumë prej emrave të tyre i kishte shënuar prapa një fotografie, që kishin dalur me nxënësit para shkollës në vitin shkollor 1942-1943. Ai me nostalgji e shihte fotografinë dhe i kujtonte gjithashtu me mall nxënësit e vet dhe tërë ato momente të asaj periudhe mbresëlënëse për të.
Shkolla në gjuhën shqipe në fshatin Podgorcë ka funkcionuar deri në shtatorin e vitit 1944, kur edhe forcërisht mbyllej.
Në vitin 2009 në Podgorcë morën nismën për rihapjen e shkollës (paraleleve) në gjuhën shqipe, në kuadër të shkollës tetëvjeçare “Goce Delçev”. Këshilli i prindërve të nxënësve shqiptarë në Podgorcë fillimisht pati përkrahje edhe të strukturave komunale në Strugë, nën ingerencat e së cilës janë shkollat fillore dhe të mesme.
Isht ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, në kuadër të politikave diskriminuese shkoi aq larg sa paralajmëroi dërgimin e gjuhtarëve në Podgorcë, të cilët do të vërtetonin, nëse fëmijët dinin të flisnin shqip apo jo. Zot. Ministër e bëri këtë gaf në prill të 2011, respektivisht ku iu shterën të gjitha arsyet për moslejmin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në këtë fshat të Strugës.
Në gazetën “Koha”, dt.29.09.2012, zotëri Xhemi Hajredini përgjegjës për Arsimin në Komunën e Strugës do të shtoj se “Deklaratat e zyrtarëve të Minsitrisë së Arsimit dhe shkencës se paralelet shqipe nuk mund të hapen pasi nuk ka më shumë se 24 nxënës është “përallë me dushk”, sepse në asnjë paralele të kësaj shkolle nuk ka aq nxënës sa kërkojnë ata”.
Në bazë të të dhënave që i kam siguruar në rrugë të tërthortë, Shkolla fillore “Goce Delçev” në Podgorcë të Strugës, në vitin shkollor 2012-2013, numëron gjithsej 208 nxënës, të ndara në 12 paralele. Asnjë paralele në këtë shkollë nuk i plotëson numrin e nxënësve të caktuar me Ligj. Të gjitha paralelet në këtë shkollë janë në kundërshtim me nenin 41 të Ligjit për Arsimin fillor, i cili është decid që asnjë paralele të mos ketë më pak se 24 nxënës e as më shumë se 34 nxënës.
Madje shkolla “Goce Delçev” nuk e plotëson as kriterin ligjor për të funkcionuar si shkollë e pavarur, pasi një shkollë si subjekt i veçantë juridik, Ligji kërkon që e njëjta të ketë të paktën 16 paralele. Pra, në këtë shkollë ku MASH ka lejuar që mësimi të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, asnjë paralele nuk ka më tepër se 24 nxënës.
Pas shumë përpjekjeve dhe bisedave, ish ministri Nikolla Todorov dhe zëvendësja e tij Lindita Qazimi, paraprakisht ishin marrë vesh me Këshillin e prindërve që prej vitit shkollor 2012-2013 do të nisë regjistrimi i nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe.
Rreth paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën e Podgorcës do të diskutoi edhe Kuvendi Komunal i Strugës më 26.VI.2012. Me votat e këshilltarëve shqiptarë, u miratua propozimi që klasat me mësim në gjuhën shqipe të funksionojnë në Podgorcë, por juridikisht do të jenë të varura nga Shkolla Fillore “Murat Labënishti” e fshatit Labënisht. Ky hap, nga Komuna e Strugës, sqarojnë është ndërmarrë në funkcion të gjetjes së një solucioni më të shpejt për mbylljen një herë e përgjithmonë të problemit me zyrtarizimin e mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptar të Podgorcës.
Sa ishte N. Todorovi dhe L. Qazimi në krye të MASH-it marrëveshja nuk u realizua, as për së afërmi, ndërsa e njëjta nuk u mor në konsideratë nga pasardhësit e tyre, ministri Pançe Kralev dhe zavendës. S. Neziri. Madje, Kralev solli vendim që në shkollën fillore “Goce Delçev” në fsh. Podgorcë të mos formohen paralele shqipe, kurse zavendësi i tij, Safet Neziri e arsyetoi atë skandal me “argumentin” se shqiptarët nuk kanë më tepër se 24 nxënës në një klasë (Gazeta “Koha”, dt. 29.IX.2012).
Në fund të muajit gusht të vitit 2012, MASH-i ka kërkuar që paralelet shqipe të Podgorcës të transferohen në fshatin Labënishtë, sepse nuk i plotësojnë kriterin prej 24 nxënësve, për të themeluar paralele.
Që nga kjo kohë në teren janë zhvilluar, një sërë ngjarjesh, duke filluar nga protestat para komunës, ndërhyrja brutale e policisë, ndërprerja e dritave në ambientin ku zhvillohet mësimi me nxënësit shqiptar, etj., dhe themelimi i fondacionit për shkollën shqipe në Podgorcë, nëpërmjet të cilit financohet ekzisrimi i paraleleve shqipe në këtë fshat, si dhe paditen prindërit e nxënësve shqiptarë.
Pra, në Shkollën e Labënishtës mundet të shkojnë nxënësit shqiptar nga Podgorci, e nuk mundet në vendlindje. Rasti me Podgorcës së sotme, është rast unik në Evropën e shek. XXI. Ata përveç librave, fletoreve e lapsave, në çantat e tyre duhet të kenë edhe nga një qiri. Përkundër shandazheve të vazhdueshme të mësimit shqip në Podgorcë, shqiptarët e këtij fshati, janë të vendosur që fëmijët e tyre të mësojnë shqip sepse edhe qiriri bënë dritë në errësirë. Kjo situatë e krijuar në Podgorcë sot, është si gjendja në Kosovë në kohën e Millosheviqit.