Qytetarët e vendit deri në shkurt të vitit të ardhshëm do të duhet të ndërrojnë dokumentet e identifikimit. Dokumentet e reja do të duhet të jenë me emrin e ri të shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut. Por qytetarët do të duhet të ndajnë një buxhet më të madh se zakonisht për dokumentet e reja, sepse materialet për përgatitjen e dokumenteve janë shtrenjtuar për 90 për qind dhe çmimi i shërbimit është pak më i shtrenjtë, thotë ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Vetëm qytetarët të cilët ndryshojnë pasaportat çdo pesë vjet do të paguajnë me çmimin e vjetër.
“Përcaktuam dy lloje çmimesh, ata që ndërrojnë pasaportën çdo pesë vjet, pra deri në moshën 27 vjeç kanë të njëjtin çmim për shërbimin, ndërsa për pjesën tjetër, duke pasur parasysh që dokumenti është i vlefshëm për dhjetë vite pak është rritur çmimi që ne t’i kryejmë ato funksione.”, – deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Aliu: Do të digjitalizohen 150 dokumente
Spasovski kritikoi pushtetin lokal për ndryshimin e emrave të rrugëve, kërkoi që ndryshimet të futen në bazën e të dhënave përmes Regjistrit Qendror, sepse në këtë mënyrë vonohet dhënia e dokumenteve personale. Ndërkohë, u bë e ditur se nëpërmjet digjitalizimit qytetarët do të mund të marrin certifikatat e shtetësisë dhe dokumente të tjera më shpejt, në formë elektronike.
“Deri në fund të vitit 2023 do të bëjmë mbi 150 shërbime digjitale që do të jenë në shërbim të qytetarëve, me çka nëpërmjet portalit nacional uslugi.gov.mk apo shërbimeve të qendrave të cilat ministria i posedon në 5 qytete të ndryshme, qytetarët e vendit do të mund në kohë reale të vijnë të marrin shërbimet digjitale në e-mail apo telefon.”, – theksoi ministri i shoqërisë informatike, Azir Aliu.
Pas rritjes së çmimeve për letërnjoftimet do të kushtojnë 310 denarë, që paraqet një rritje prej 120 denarësh. Patentë shoferi do të kushtojë 410 denarë apo 130 denarë më shtrenjtë. Çmimi i pasaportës për një person deri në 27 vjeç mbetet 1.500 denarë, derisa për një person mbi 27 vjeç do të jetë 2.000 denarë. Pasaporta me procedurë urgjente do të kushtojë 6.100 denarë, që është një rritje prej 1.600 denarësh, ndërsa patentë shoferi do të kushtojë 1.230 denarë, që është një rritje prej 390 denarësh.