Tetë vjet nga luftimet në Lagjen e Trimave, Grupi i Kumanovës pret transferimin në Kosovë

8 vjet nga luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, incidenti i armatosur që dridhi themelet e sigurisë në Ballkan.

Luftimet e dy ditëve lanë të vrarë 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur. U shkatërruan shtëpi dhe prona private, ndërsa policia gjatë ndërhyrjes përdori artilerinë më të rëndë të mundshme. 37 pjesëtarë të forcave të rendit mbetën të plagosur.

Prokuroria ngriti akuzat për cenim terrorist të rendit kushtetues dhe organizatë terroriste. Në akuzë u përfshinë 33 të akuzuar, ndërsa më pas 4 prej tyre u liruan. 29 të akuzuarit shumica prej tyre shtetas të Kosovës, një shtetas shqiptar, një gjerman dhe disa të Maqedonisë u deklaruan të pafajshëm. Gjykata dënoi 7 persona me burg të përjetshëm, ndërsa 22 të tjerë me 746 vite burg.

Grupi i thirrur në emër të UÇK-së pretendonte se motivi për kryengritjen e tyre kishte të bënte me tërheqjen e vëmendjes për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, konkretisht mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Luftimeve në Kumanovë i paraprinë sulmi dhe marrja nën kontroll e stacionit policor në Goshincë në zonën malore kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Pak ditë pas sulmit në media u publikuan indikacione që ngitnin dyshime për përfshirjen e një ose më shumë shërbimeve sekrete në këtë konflikt.

Procesi gjyqësor aktualisht ndodhet në Gjykatën Supreme. Deri tani nuk dihet afati kur do të mbahet seanca publike. Ndërkohë të akuzuarit nga Kosova kanë nisur procedurën për transferim në shtetin e tyre. Ministria e Drejtësisë është duke proceduar në kërkesat e tyre, por autoritetet kosovare deri tani nuk kanë reflektuar. Sipas marrëveshjeve bilaterale të nënshkruara mes qeverive, Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë në materiet penale dhe Konventës Evropiane për transferimin e personave të dënuar e nënshkruar në Strasburg në vitin 1997 kushti për transferimin e të burgosurve nga një shtet në shtetin e tyre amë është njohja e akuzës dhe vendimit gjyqësor të shtetit ku kanë kryer veprën. /Alsat.mk