Ligjet për korridoret mbërritën në kuvend

Pavarësisht thirrjeve për të mos keqpërdorur flamurin evropian, Qeveria i dërgoi në Kuvend ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq pranon se teksti i ndryshimeve nuk ka të bëjë fare me përshtatjen me ligjet evropiane. Ai shton se vendimi i Qeverisë është thjesht politik dhe drejton gishtin kah “E Majta”.

“Ajo që mendoj se duhet të themi hapur është se ky vendim u mor për të penguar bllokadën e paligjshme nga “E Majta”– parti pro-ruse, parti anti-NATO, parti anti-BE që do të bëjë gjithçka për të penguar korridoret që janë regjistruar në rrjetet trans-evropiane dhe për një projekt të tillë të realizuar nga një kompani amerikane”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Zëvendëskryeministri arsyeton vendimin me regjistrimin e  Korridorit 8 në rrjetin trans-evropian që do bëhet më 16 maj. Më parë, sqarime shtesë mbi përdorimin e flamurit evropian kërkuan edhe nga delegacioni i BE-së ndërsa Mariçiq thotë se ka komunikim me shkrim. Delegacioni të premten shprehu shqetësim rreth përdorimit të flamurit evropian dhe sugjeroi se ai nuk duhet të përdoret për të anashkaluar debatin publik. Kryetari VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i bëri thirrje BE-së të reagojë përsëri.

“I bëj thirrje Zyrës së Komisionit Evropian në Maqedoni, i bëj thirrje ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian që gjatë ditës së sotme të prononcohen për atë që ka bërë sot Qeveria e BDI-së dhe LSDM-së,” deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, thotë se nga Delegacioni i BE-së kanë kërkuar vetëm sqarime shtesë nga Qeveria për përdorimin e flamurit evropian. Ai pret që të mërkurën në seancë plenare të miratohet nevoja për ndryshime ligjore dhe më pas teksti të shqyrtohet në Komisionin që ai e drejton.

“Besoj se të gjitha partitë politike dhe deputetët nuk do të udhëhiqen nga synimi për të krijuar incidente dhe probleme në Kuvend. Unë nuk do ta lejoj këtë dhe do të bëj gjithçka që takimi të jetë në kuadër të asaj që parashikon Rregullorja e punës”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.

Sipas autoriteteve, ndryshimet do të mundësojnë ndërtimin më të lirë të korridoreve dhe për një periudhë më të shkurtër. Ato i referohen ligjeve për marrëdhëniet e punës, për urbanistikën, ndërtimin, shpronësimin dhe për përcaktimin e interesit publik. /alsat.mk