Në vend të denoncimit e kërcënimeve nga të burgosurit, policët e Burgut në Idrizovë, preferojnë ta mbyllin çështjen pa denoncime. Marrin pushime mjekësore derisa të zbehet problemi. Të rrezikuar janë edhe familjarët e tyre. Drejtori i burgut, Zoran Jovanovski sqaron situatën brenda këtij institucioni.
Policët e burgut në Idrizovë pranojnë vazhdimisht kërcënime nga të burgosurit në këtë institucion, ndërsa ka shumë raste kur kërcënimet nuk raportohen nga ana e tyre. Në vend të kallëzimit, një pjesë e madhe e policëve të burgut preferojnë të marrin pushime mjekësore e të mos vijnë në punë. Kështu konstatoi në jë intervistë për Makfaks, drejtori i Burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski.
“Rreth 15% e Policisë së burgjeve aktualisht kanë pushim mjekësor. Meqë mjeku amë u jep pushim, atëherë mesiguri edhe janë të sëmurë..Një numër i caktuar i policëve nuk i paraqesin kërcënimet. Në pyetjen time se pse nuk i denoncojnë, thonë, që të mos kemi probleme. Kemi bashkëpunim me MPB-në, jemi duke punuar në zbardhjen e rasteve të djegies së automjeve. Kërcënime nga të burgosurit ka dhe do të ketë, po të ishin njerëz të ndershëm dhe të drejtë nuk do të kishin përfunduar prapa hekurave”, tha Zoran Jovanovski.
Sipas Jovanovskit, shumë policë përballen me kërcënime edhe për familjarët e tyre, të cilët tani janë më të ekspozuar, sidomos nga rrjetet sociale. Prania e telefonave ilegalë në burg u mundëson të burgosurve qasje në rrjetet sociale.
“Deklaratat e punonjësve konfirmojnë se janë kërcënuar dhe se pasojë e kërcënimeve ka qenë djegia e automjeteve.. Në rrjetet sociale punonjësit tanë kanë fotografi të grave, fëmijëve, kështu që të burgosurit shumë lehtë mund ta shkarkojnë atë profil dhe të zbulojnë se kush është gruaja e tij, kush janë fëmijët e tij”, tha Zoran Jovanovski.
Ka raste kur nga kërcënimet e tilla, punonjësit e policisë japin dorëheqje nga puna, prandaj sipas drejtorit Jovanovski, nëse do të rritet numri i gardianëve në burgje do të shmangej ky problem./KlanMacedonia/