Kriza energjetike nuk ka mbaruar, autoritetet nga afër po ndjekim situatën

Se si do të jetë situata energjetike këtë vit varet edhe nga hidrologjia, pra nga prodhimi i energjisë elektrike nga akumulimet dhe akumulimet e ujit në digat e vendit, dhe në Evropë. Ish zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe kryetar i Shoqatës Energjetike të Maqedonisë thotë se nëse përsëritet hidrologjia e keqe nga viti i kaluar, situata që po përmirësohet ngadalë mund të përkeqësohet. Në këtë rast, hidrocentralet nuk do të prodhojnë energji elektrike të mjaftueshme.

“Ekziston një faktor më i madh që varet nga hidrologjia. Vitin e kaluar kulmi i çmimeve u arrit në gusht. Kjo ndodhi sepse në gusht nuk kishte akumulim të mirë të lumenjve që ftohnin termocentralet bërthamore dhe reaktorët bërthamorë u ndalën sepse nuk kishte ujë të mjaftueshëm për t ‘i ftohur ato. Kjo mund të ndodhë edhe më keq këtë vit, sepse ky vit është edhe më i keq hidrologjikisht se viti i kaluar”, deklaroi Koço Angjushev Kryetar i Shoqatës Maqedonase të Energjisë.

Edhe vitin e kaluar në vend situata me hidrocentralet ishte në nivel të dëshpëruar. Por nga EMV-ja për Alsat thonë se në tremujorin e parë të këtij viti, furnizimi mesatar me ujë dhe niveli aktual i hidroakumulimit është 64% i asaj që është planifikuar. Por informacionet e tyre janë se muaji i ardhshëm është zakonisht më i miri hidrologjikisht dhe pritet rritje në nivelin e akumulimeve.

“Për të kursyer energjinë nga akumulimet, EMV-ja blen energji elektrike nga tregu i lirë me çmim shumë më të ulët se çmimi i prodhimit të TEC Negotino, i cili nuk ishte ekonomikisht i volitshëm për t’u prodhuar dhe ndërpreu prodhimin sepse u krijuan kushte për mbylljen e kapaciteteve dhe kryerja e aktiviteteve të planifikuara të shërbimit dhe remontit me qëllim të përgatitjes së kapaciteteve për sezonin e ardhshëm të ngrohjes”, thonë nga EMV.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, nga ku na njoftuan se kanë përfaqësues në Komisionin për monitorimin e gjendjes në furnizimin me energji elektrike, i cili vetëm shqyrton gjendjen e akumulimeve dhe jep rekomandime.

“Komisioni Rregullator për Energjetikë rregullisht në takimet koordinuese me kompanitë e sektorit të energjisë elektrike thekson nevojën e mbajtjes së një niveli të duhur të akumulimeve për sa i përket rëndësisë së hidrocentraleve në drejtim të menaxhimit të sistemit elektroenergjetik, gjegjësisht mbajtjes së frekuencës brenda kufijve të përcaktuar”, njoftojnë nga KRRE.