Policia Financiare ka dorëzuar tre kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër tre personave fizikë dhe tre personave juridikë për ekzistimin e dyshimeve të bazuara për veprën penale evazion fiskal nga Neni 279 paragrafi 2 dhe 3 i Kodit Penal. Me këto veprime, sipas Policisë Financiare të pandehurit për katër muajt e parë të këtij viti i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë të prej mbi 295 mijë euro. Në raportin e Policisë Financiare pas aksionit ndaj tregtarëve me shumicë të fruta-perimeve në “Kvantashki” thuhet se drejtuesit e këtyre subjekteve nuk kanë paguar 5% TVSH të mallit me vlerë prej 1.832.968 euro. Sipas Kodit Penal për evazion fiskal gjobat janë deri në 300 mijë euro, ose 3 vjet burg efektiv.
“Personat e regjistruar fizikë, në cilësinë e menaxherëve të personave të regjistruar juridikë, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar, për përfitim pasuror të kundërligjshëm për vete dhe për personat juridikë, në periudhën nga 01.01.2023-25.04.2023, një pjesë e konsiderueshme e mallrave të blera komerciale ushqimore të regjistruara në magazinë në vlerë prej 112.727.586 denarë në mënyrë të paarsyeshme i janë përvetësuar për vete dhe nuk janë evidentuar në regjistrat e kontabilitetit të personave juridikë si mungesë dhe nuk kanë llogaritur, raportuar dhe paguar vlerën e TVSH-së me normë tatimore prej 5% në shumë prej 5.636.379 denarë dhe tatimin në të ardhura personale në shumë prej 12.524.718 denarë”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Nga ana tjetër Drejtoria e të Ardhurave Publike, si një nga institucionet që mori pjesë në aksionin e 8 prillit në tregun me shumicë “Kvantashki” në Shkup por edhe në Strumicë dhe Dibër, në takim me gazetarët thanë se nuk janë në dijeni për evazion fiskal. Ky organ përgjegjës për mbledhje të tatimit, nuk ka ngritur alarmin për vite të tëra lidhur me këto dyshime, por kundërvajtjet i konstatoi vetëm për kuponë fiskal. Drejtoresha Sanja Llukarevska tha se me ligj nuk u lejohet të gjurmojnë më larg se 5 vite.
“Gjatë aksionit të kryer më 8 prill në tregun me shumicë ‘Kvantashki’ në Shkup si dhe në Strumicë e Dibër kemi konstatuar se tregtarët nuk kanë dhënë kuponë fiskal, mos evidentim të shitjes dhe mos posedim të aparatit rezervë për faturim. Janë gjetur raste kur tregtarët kanë deklaruar zero fitim gjatë këtyre ditëve”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Sikurse nga dy organet e lartë përmendura ashtu edhe nga Inspektorati i Tregut dhe Ministria Ekonomisë paralajmërojnë se aksionet do të vazhdojnë edhe te tregtarët e tjerë dhe për çdo shkelje penale do të denoncojnë në Prokurorinë kompetente. Por, nga Drejtoria e Doganave akoma nuk kanë dhënë rezultat për faturat fiktive të importuesve të fruta-perimeve, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar fatura që nga viti 2007, duke deklaruar kosto më të ulëta të mallit për të shmangur tatimin doganor. Kjo doli në pah vetëm kur u ngrinë çmimet e fruta-perimeve në tregun me pakicë, ku në tregjet e gjelbra tregtarët refuzuan të sheshin me çmime 30% më lirë duke dëshmuar se nga tregjet me shumicë kanë blerë me çmime goxha më të shtrenjta. Ndërsa autoritetet për ngrirjen e çmimeve i morën si bazë faturat doganore të mallit të njëjtë, të importuar kryesisht nga Turqia, Greqia, Shqipëria dhe Serbia. /Alsat.mk