Gjashtë vjet nga ngjarjet e “27 Prillit”

Sot, bëhen gjashtë vjet nga ngjarjet e 27-Prillit që ndodhën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), kur një turmë huliganësh u futën në objektin e shtëpisë legjislative dhe sulmuan deputetë e gazetar.

Me rastin e kësaj dite, LSDM-ja në pushtet deklaroi se “27 Prilli” është data më e zezë në historinë e demokracisë së Maqedonisë.

“VMRO-DPMNE inkurajoi banditët e armatosur që të hyjnë në Parlament duke u përpjekur të vrasin deputetë, të lëndojnë gazetarë dhe punonjës të shërbimeve parlamentare, të shkatërrojnë rendin kushtetues dhe të shkaktojnë luftë civile. VMRO-DPMNE i quajti mbrojtës të kushtetutës ata banditë që ishin të shoqëruar nga vetë Hristijan Mickoski para Kuvendit të Maqedonisë, madje kërkoi amnistinë e tyre, që vetëm dëshmon se asgjë nuk ka ndryshuar në VMRO-DPMNE”, thonë nga LSDM.