Infrastruktura e Postës nacionale do të përdoret për ofrimin e shërbimeve administrative për qytetarët në 333 lokacione në vend. “Një pikë për shërbime” aktuale, e cila funksionon vetëm në pesë lokacione (Shkup, Kumanovë, Manastir, Ohër dhe Tetovë) do të zgjerohet në të gjithë vendin, duke shfrytëzuar kapacitetet hapësinore dhe kuadrovike të Postës. Pas gjashtë muajsh është planifikuar që në filialet e Postës të ketë një afishe me informacione për qytetarët se në dispozicion të tyre janë shërbime nga administrata.
“Një pikë për shërbime ” në fakt shërben shumë pak procese. Ne bëmë një analizë. Së bashku me SHA Posta, do të hapim këto pika në 333 vende në të gjithë vendin, ku nuk do të krijojmë infrastrukturë të re, por infrastrukturë të Postës, njerëzore dhe fizike. Aty do të shërbehen të gjithë qytetarët në shkallë vendi me shërbimet që u ofrohen”, tha sot ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu.
Tani, sqaroi ministri, po shpenzohen shumë burime për pesë pikat ekzistuese, pagesa e qirasë, rryma, punonjësit… Do të mbyllen dhe të gjitha këto vende do të funksionojnë në kuadër të Postës.
“Zgjidhja është hapja e 333 pikave pa investuar shumë. Ne krijuam një grup pune me SHA Postën e RMV-së për të vendosur shpejt ato pika. Tashmë jemi duke punuar. Posta ka zyra në çdo pjesë të vendit, ka punonjës dhe lidhje të mirë interneti, por nuk ka staf të trajnuar mirë për të ofruar të gjitha shërbimet “Një pikë për shërbimet” dhe një sportel që do të thotë ETU. Me një investim të vogël në një hap do të afrohemi me çdo qytetar që të ketë qasje në të gjitha shërbimet”, thotë Aliu.
Po zhvillohen analizat për ndryshimet e nevojshme në zgjidhjet ligjore, pasi ligji aktual parashikon që vetëm punonjësit e MSHIA-së të kenë akses në “Një pikë për shërbimet” (ETU). Në ligj do të shtohet se një akses të tillë do ta kenë edhe punonjësit e SHA Posta e RMV-së.
Ky projekt, sipas ministrit, do të ndihmojë financiarisht SHA Postën e RMV-së, e cila është në vështirësi financiare. “Kemi një situatë të favorshme, ofrimi i të gjitha shërbimeve për qytetarët me shumë pak para për trajnimin e punonjësve dhe afishe me informacionin se ofrohet një shërbim i tillë. Do të trajnojmë punënjësit e SHA Posta”, thekson Aliu.
Në brifingun e parë me mediat që nga emërimi në këtë pozitë, Aliu bëri të ditur se prioritet në punën e tij do të jetë digjitalizimi i shërbimeve, që sipas vlerësimit të tij është në nivel të ulët.
“Po punohet intensivisht që çdo ditë të mund të shtojmë një shërbim të ri digjital. Aktualisht jemi duke punuar në 150 shërbime të tilla dhe shpresoj që së shpejti të fillojmë me promovimin e tyre”, tha Aliu, duke theksuar se një nga arsyet pse ato shërbime nuk përdoren është mosinformimi i qytetarëve.
Sipas Aliut, 96 shërbimet aktuale digjitale përdoren shumë pak dhe administrata nuk është e trajnuar sa duhet për digjitalizim.
“Me digjitalizimin do të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve dhe do të ulim nivelin e korrupsionit, me të cilin sot qytetarët ose duhet të kenë dikë të njohur ose të menaxhojnë në një mënyrë tjetër në të cilën do të arrijnë shpejt dhe me efikasitet dokumentin që u nevojitet”, tha Aliu.
Prioriteti i tij është edhe ndëroperueshmëria, e cila tashmë mbulon vetëm 22 nga gjithsej 1135 institucione në nivel vendi.
“Nëse hyjnë edhe 10, ky do të jetë një plus, digjitalizimi i proceseve as ka filluar dhe as nuk do të përfundojë me mua, domethënë do të jetë një proces në të cilin do të duhet investuar shumë”, thekson Aliu.
Duke komentuar problemet me të cilat qytetarët përballen në shfrytëzimin e mundësive aktuale digjitale, si prishjet e shpeshta të sistemit, Aliu kujtoi se me programin e MSHIA-së të shpallur së fundmi “Epoka Digjitale”, do të krijohet një agjenci digjitalizimi që do të zgjidhë problemet, me fokus të veçantë në sigurinë kibernetike, e cila do të jetë një ombrellë për mbrojtjen e të gjitha institucioneve. Për të qenë në gjendje të zbatohet politika e digjitalizimit, kjo nuk do të menaxhohet nga MSHIA-ja, por nga kabineti i Kryeministrit, për tu përjashtuar rreziku i refuzimit të politikave që do të kërkohen të zbatohen.