OBSH: Mbi 400 persona të vrarë në Sudan

Një zëdhënëse e OBSH-së tha se 20 objekte shëndetësore kanë pushuar së funksionuari dhe 12 të tjera janë në rrezik të mbylljes. Zëdhënësi i UNICEF-it James Elder tha se të paktën nëntë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve dhe se më shumë se 50 fëmijë u plagosën.

Më shumë se 400 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 3,500 janë plagosur në luftimet në Sudan, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Katërqind e trembëdhjetë njerëz kanë vdekur dhe 3,551 njerëz janë plagosur… që ne e dimë,” tha zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë sudaneze të Shëndetësisë, Harris tha se 20 objekte shëndetësore kanë pushuar së funksionuari dhe 12 të tjera janë në rrezik mbylljeje.

Zëdhënësi i UNICEF-it James Elder tha se të paktën nëntë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve dhe se më shumë se 50 fëmijë u plagosën.

Ai shton se “shumë familje janë të bllokuara, me pak ose aspak akses në energji elektrike, nga frika se do të mbeten pa ushqim, ujë dhe ilaçe”.

Ai tha gjithashtu se Sudani tashmë ka një nga nivelet më të larta në botë të kequshqyerjes së fëmijëve dhe kujdesi kritik për shpëtimin e jetës tani është ndërprerë për rreth 50,000 fëmijë të kequshqyer rëndë.

“Kjo është kërcënuese për jetën,” tha ai.

Elder paralajmëroi gjithashtu se luftimet po rrezikonin më shumë se 40 milionë dollarë vaksina dhe insulinë në magazina të ftohta për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së karburantit.

“Ne kemi nevojë për forca për t’i dhënë fund armiqësive menjëherë dhe që të gjitha palët të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare për të mbrojtur fëmijët,” tha ai.

Përleshjet në Sudan shpërthyen në prill midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake në atë vend.

Konflikti lindi pas tensioneve mbi kalimin e propozuar drejt sundimit civil.