Administrata në RMV u numërua: 129.374 punonjës!

Në vitin 2022 në sektorin publik në vend kanë qenë të punësuar 129 374 persona. Krahasuar me vitin 2021 numri i tyre ka rënë për 1809. Por numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik nuk korrespondon me numrin e përgjithshëm të vendeve të plotësuara të punës për shkak se ka punonjës, kryesisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, që plotësojnë vende pune në dy ose më shumë institucione të sektorit publik, njofton Portalb.

Punonjës në ministri, agjenci, inspektorate …
Një nga resorët me numrin më të madh të të punësuarve është Ministria e Punëve të Brendshme me 11.694 persona. Në arsim janë të punësuar 37.231 persona, ndërsa në vetë Ministrinë e Arsimit 234. Edhe Shëndetësia absorbon një numër të madh të punësuarish, 19.428, ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë janë të punësuar 118 persona.

Në Ministrinë e Kulturës janë të punësuar 132 administratorë, ndërsa sektori i kulturës përfshin 3.409 të punësuar, ndërsa në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale vitin e kaluar kanë qenë të punësuar 243 persona dhe në institucionet publike nën këtë resor 7.041. Në Ministrinë e Drejtësisë ka 205 të punësuar, ndërsa në sektorin e drejtësisë janë të punësuar 931 persona. Ministria e Bujqësisë ka 1005 të punësuar, Ministria e Mbrojtjes 687, Ministria e Financave 575 dhe Ministria e Sistemit Politik 390 persona. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme punojnë 258 persona, ndërsa resorët e tjerë kanë më pak se 250 punonjës.

Në inspektoriate, bashkë me nëpunësit e tatimeve dhe doganave dhe inspektorët (organe në kuadër të ministrive) janë të punësuar 4.284 persona. Prej tyre, 1.223 punojnë në Drejtorinë e doganave, 1.008 në DAP, 466 persona punojnë në Drejtorinë për mbajtjen e librave amzë, ndërsa 262 inspektorë vjet kanë punuar në Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe 203 në Inspektoratin Shtetëror të Punës.
Në agjencitë dhe drejtoritë e krijuara nga shteti me statusin e subjekteve të pavarura janë të punësuar 3.360 persona. Numri më i madh 785 janë të punësuar në Agjencinë e Kadastrës, 362 në Agjencinë e Ushqimit, 342 janë të punësuar në Qendrën e Menaxhimit të Krizave, 275 në Arkivin Shtetëror dhe 255 janë të punësuar në Drejtorinë për shpëtim. Në institucionet e tjera të këtij grupi janë më pak se 230 të punësuar.

Punonjësit në drejtësi…
Vitin e kaluar në institucionet e drejtësisë në vend ka pasur 2.613 të punësuar. Prej tyre, 2.182 janë të punësuar në gjykata, 390 në prokurori, 8 në Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe 33 në Këshillin Gjyqësor.

Raporti i ri nga Regjistri i të punësuarve në sektorin publik për vitin 2022 tregon se vetëm në gjykatat e vendit janë të punësuar 2.181 persona, ndërsa numrin më të madh të të punësuarve e ka Gjykata Themelore Civile në Shkup me 249 dhe Gjykata Themelore Penale me 290 të punësuar, pastaj vjen Gjykata Themelore në Tetovë me 124, Gjykata e Apelit me 120 të punësuar dhe Gjykata themelore Kumanovë me 114 të punësuar. Gjykatat e tjera kanë nga më pak se 100 të punësuar. Vitin e kaluar në të gjitha prokuroritë janë punësuar 390 persona.