Osmani nga Odzisi i Gjeorgjisë: Kufizimi i lirisë së lëvizjes në shekullin 21 është i papranueshëm

Lëvizja e kufizuar, toka bujqësore e konfiskuar, kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani gjatë vizitës së tij në Odzisi të Gjeorgjisë pa nga afër dhimbjen dhe vuajtjet e njerëzve pas “murit të ndarjes”.

Ai dëshmoi shumë fate njerëzore nga historitë e jetës personale të njerëzve që jetojnë këtu. Kufiri u ka marrë pronat, tokat bujqësore nga të cilat ushqeheshin, e disave u ka marrë mundësinë të shohin familjet, të afërmit dhe miqtë.

“Njerëzit këtu nuk kanë mundësi të vizitojnë të afërmit dhe miqtë e tyre, të shfrytëzojnë tokën bujqësore, janë të privuar nga mundësia për të vizituar objektet fetare. Kjo situatë është e paqëndrueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të OSBE-së dhe idealet civilizuese”, tha Osmani.

Kryesuesi i OSBE-së tha se është e papranueshme në shekullin e 21-të të kufizohet liria e lëvizjes së njerëzve. Ai theksoi se OSBE-ja do të bëjë përpjekje për të ndihmuar të kërcënuarit nga konflikti i vitit 2008.

“Njerëzit duhet ta rifitojnë lirinë e tyre të lëvizjes si një e drejtë themelore e njeriut dhe Presidenca e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në do të bëjë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar ata që janë drejtpërdrejt të kërcënuar nga konflikti”, theksoi Osmani.

Gjatë vizitës në Odzisi, Osmani ishte i shoqëruar nga Misioni Monitorues i BE-së. Ky Mision, së bashku me përfaqësuesit e OSBE-së, janë në terren për 15 vjet dhe parandalojnë tensione të reja, dhe lehtësojnë kthimin e një jete të sigurt dhe normale në këtë rajon.