Krizat e njëpasnjëshme të viteve të fundit kanë nxjerrë në pah një sërë problemesh në shoqëri, mes të cilave edhe sjellja devijuese e fëmijëve dhe adoleshentëve. Sociologu, Ali Pajaziti vlerëson se po përballemi me krizë globale kur bëhet fjalë për edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj, prandaj është e nevojshme që shkollat të riorganizohen. Pajaziti sqaron se shkollat nuk duhet të jenë vetëm institucion të përcjelljes së informacioneve por të duhet të formojnë një individ të shëndoshë për veten, familjen dhe mjedisin në të cilin jeton fëmija.
“Shkolla para së gjithash duhet të formojë personalitetin e fëmijës. Ajo duhet që të krijoj një frymë, një shpirt, të formoj një individ të gatshëm për të jetuar, për të bashkëvepruar dhe i cili sociologjikisht do të jetë i shëndetshëm për veten, për familjen dhe për mjedisin në të cilin ai jeton. Vetëm shkollimi nuk është i mjaftueshëm sepse kjo i përngjan teknologjive informatike ose atij procesit “send-to” por duhet që duke filluar nga çerdhja e deri te nivelet më të larta arsimit, deri te ai universitar të tentohet që fëmija të edukohet para së gjithash, pra, ti jepen atij vlera, të pasurohet me vlera sociale pozitive, konstruktive që ai të bëhet në plot kuptimin e fjalës njeri”, u shpreh Ali Pajaziti, sociolog.
Liridon Baftiu, drejtor i Qendrës për Punë Sociale propozon që në shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm të angazhohen punonjës socialë. Sipas Baftiut, nëse kjo do të funksiononte do të ishte mbështetje e madhe e psikologëve dhe pedagogëve të cilët, sipas Baftiut, nuk arrijnë të merren me të gjitha problemet e fëmijëve për shkak të numrit të lart të nxënësve në shkolla të caktuar.
“Është shumë e rëndësishme baza të cilën e ka punëtori social që t’i qaset çdo problematike e cila ndodhë në shkollë me fëmijët. Mendoj që këtu më së shumti do të fitojnë edhe kuadri tjetër i shkollës, mësuesit dhe arsimtarët sepse do ta din që për çdo rast që do ta lajmërojnë te punëtori social, punëtori social do ta transferoj lëndën apo informatat te qendra sociale. Lidhja e punëtorëve social me qendrën sociale të cilën e menaxhojmë është shumë e lehtë sepse jemi edhe të njëjtit profesion dhe mendoj që qasja e punëtorit social tek ne do të jetë shumë më e lehtë dhe shumë më e thjeshtë”, deklaroi Liridon Baftiu, Qendra për punë sociale.
Në Qendrën për punë sociale, jo zyrtarisht, në vitin 2022 janë evidentuar 614 raste të fëmijëve në rrezik dhe në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, po gjatë këtij viti janë hapur 6 lëndë për marrje të së drejtës prindërore për të cilat vijojnë procedurat përkatëse./Alsat.mk