Një vit më parë, bota pa e tmerruar pamjet e filmuara në rrugët e Buçës. Forcat ruse ishin tërhequr duke lënë pas disa qindra trupa të civilëve të vrarë, shumica e të cilëve të hedhur në rrugë.
“Kur Buça ishte boshatisur, ne pamë se tmerri nuk ishte diku atje, por në rrugë”, tha asokohe presidenti ukrainas në një mesazh në Telegram.
Jeta u rikthye gradualisht në Buça, por asnjë prej banorëve të saj nuk ka mundur të harrojë ato javë tmerri.
“Ishin kohë të tmerrshme. Vetëm kur u krijua korridori humanitar mundëm të largoheshim. Ishte shumë e frikshme, rrugës kishte shumë ushtarë rusë, por falë Zotit mbijetuam dhe mundëm të largoheshim që këtej”, u shpreh Natalya Plesa, banore e Buçës.
Është e vështirë të harrohet ajo që ndodhi në rrugët e Buçës. Shumë viktima u varrosën në një varr masiv pranë një kishe.
“Është me rëndësi që të mos jetojmë me të kaluarën, por me të ardhmen. Për ta bërë këtë duhet jo vetëm të mposhtim pushtuesit, por që edhe e keqja të dënohet”, theksoi Andriy Golovin, kryeprift.
Vlerësohet se të paktën 457 civilë u ekzekutuan nga trupat ruse në Buça. Moska ka mohuar gjithmonë përgjegjësinë dhe deklaron se gjithçka ka qenë e sajuar. Ndërkohë, drejtësia ndërkombëtare po i heton vrasjet si krim lufte.