Historia e Profetit Musa a.s (shkrim i gjat po ja vlem me lexu)

Historia e Profetit Musa a.s (shkrim i gjat po ja vlem me lexu)

Një ndër historitë më të shquara dhe madhështore që rrëfen Kurani fisnik, është ajo e profetit Musa a.s, një nga pesë të dërguarit e vendosur. Historia e këtij profeti legjendar ceket në shtatëdhjetë e tre vende në Kuran.
Gjatë koleksionimit të ngjarjeve dhe radhitjes së tyre kam ndeshur shumë vështirësi. Kjo, pasi të gjithë ata që kishin shkruar dhe komentuar historinë e Musait a.s, nuk kanë ndjekur një rend kronologjik të saktë të ngjarjeve. Por edhe kur ndjekin një rend kronologjik të saktë, hapërdahen me rrëfenja izraelite, duke u larguar nga thelbi i historisë. Këto rrëfenja është mirë dhe duhet të mbahen larg historive të profetëve të Zotit, me qëllim që ta kuptojmë sa më drejt Kuranin famëlartë.
Gjatë gjithë punës time për këtë histori dhe të tjera, jam rrekur që ngjarjet t’i lidh me Kuranin fisnik, pasi ai përbën referencën origjinale për histori të tilla. Ai është e vërteta që nuk cenohet aspak nga e padrejta dhe kota.
Prej nesh kërkohet që ta lexojmë dhe ta përjetojmë Kuranin fisnik. Përjetimi i Kuranit ndodh kur ne e lexojmë me përkushtim dhe meditojmë rreth asaj që lexojmë. Nëse lexon por nuk e kupton atë që lexon, e ke të pamundur edhe përkushtimin dhe meditimin mbi konceptet që ceken në Kuran. Për këtë, në historinë e Musait a.s unë i jam referuar kryesisht Kuranit, me qëllim që të na lehtësohet të kuptuarit e tij.
“Ta Sin Mim. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.” (Kasas, 1-3)
Ajetet e Kuranit përmbajnë kujtesa dhe këshilla për besimtarët, kurse për jobesimtarët e devijuar nga udha e Zotit, përmbajnë paralajmërime.
Profeti Musa a.s është nderuar nga Zoti, pasi i ka folur direkt dhe pa ndërmjetës. Thotë Zoti i lartësuar:”Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur ishte i dërguar dhe profet.” (Merjem, 51)
Musai a.s ishte i përzgjedhur prej Zotit dhe në shërbim të Tij, larg cytjeve dhe tundimeve të shejtanit.
Musai a.s ishte biri i Imranit, biri i Kahit, biri i Lavit, biri i Jakubit, biri i Ibrahimit a.s.
Natën që u ngjit në qiej, profeti Muhamed a.s u takua edhe me Musanë a.s, të cilin e përshkruan:”Musai a.s ishte shumë zeshkan dhe i bëshëm…”
Lidhur me fuqinë dhe forcën e tij fizike, thuhet se ishte ekuivalente me atë të dhjetë burrave. Gjithashtu, thuhet se Musai a.s vuante nga belbëzimi.
Këtë fakt e përmend dhe faraoni, i cili u drejtohet këshilltarëve duke stigmatizuar Musanë a.s:”Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi mund të shprehet?” (Zuhruf, 52)
Megjithatë, kjo e metë nuk e pengoi të zgjidhej si i dërguar i Zotit dhe profet, madje të renditet tek pesë të dërguarit e vendosur.
Edhe vetë Musai a.s e pranon këtë të metë në të folur, ku thotë në një ajet:
“Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur.” (Kasas, 34)
Bijtë e Israilit (Jakubit a.s) u shpërngulën nga Palestina dhe u vendosën në Egjipt, në kohën e Jusufit a.s. Historianët thonë se kur hynë në Egjipt ishin vetëm tridhjetë e gjashtë persona. Gjatë qëndrimit të tyre, ata u shtuan dhe u shumuan, saqë kur e lanë Egjiptin me Musanë a.s, ishin gjashtëqind mijë frymë.
Sunduesi i Egjiptit asokohe quhej faraon, siç quhej Nexhashij sunduesi i Abisinisë, çezar sunduesi dhe sovrani i Romës dhe kisra sunduesi i Persisë. Faraoni që sundonte Egjiptin në kohën e Jusufit a.s quhej Rejjan ibn Velid. Edhe pse e dinte se Jusufi a.s nuk kishte të njëjtën fe, madje ishte i huaj, ai i kishte lënë dorë të lirë të administrojë mbretërinë e tij, pasi kishte besim në aftësitë e Jusufit a.s. Gjatë jetës së Jusufit a.s, bijtë e Israilit jetuan si mbretër në Egjipt.
Pas vdekjes së faraonit Rejjan, në fron erdhi Kabus ibn Musab, i cili njihet si zullumqar dhe qafir. Ai u soll shumë keq me bijtë e Israilit, të cilët i keqtrajtoi dhe i shtypi. Pas faraonit Kabus, në fron erdhi Velid ibnu Musab, vëllai i tij, gruaja e të cilit ishte Asija bintu Muzahim. Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me Asijen:”Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse katër:”Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bintu Imran, Hadixhe bintu Huvejlid dhe Fatime bintu Muhamed.”
Fillimisht, faraoni deshi ta marrë me forcë si skllave, por babai i saj e kundërshtoi me pretekstin se ishte e vogël. Faraoni i tha:”Jo, nuk është e vogël.” Babai i Asijes i tha:”Atëherë jepi dhuratën martesore!” dhe faraoni pranoi. Babai vajti tek Asija dhe i tha:”Faraoni dëshiron të martohet me ty.” Asija e pyeti:”E si të martohem me një qafir?!” Babai iu përgjigj:”Atëherë do të marrësh më qafë veten dhe familjen tënde.”
Kjo e bëri Asijen të pranojë të martohet me faraonin, pasi kishte refuzuar të shkojë tek ai si skllave. Edhe pse jetonte me faraonin qafir, ajo ishte besimtare.
Faraoni Velid ibn Musab ishte tiran me gjithë kuptimin e kësaj fjale. Zullumet e tij ishin të panumërta, saqë filloi të pretendojë se ishte zot.
“O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (Kasas, 38)
“Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat, 24)
Kështu, ai pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore, si ato të Zotit të lartësuar dhe të Gjithëpushtetshëm.
“Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë. Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (Kasas, 3-4)
Ai i kishte ndarë egjiptianët në shtresa, ku shtresa më e ulët ishin pikërisht bijtë e Israilit, të cilët i kishte shndërruar në skllevër të tij. Ata i përdorte në punët më të rënda, kurse gratë i përdorte si skllavet e tij.
Bijtë e Israilit ishin në pritje të realizimit të profecisë sipas së cilës do të shfaqej dikush nga familja e faraonit që do i shpëtonte. Disa mendojnë se këtë profeci e kishte parë vetë faraoni në ëndërr. Ai kishte parë një zjarr të madh që dilte nga Jerusalemi dhe mbërrinte në Egjipt, ku digjte gjithçka përveç zonës ku banonin bijtë e Israilit. Menjëherë ai kishte mbledhur fallxhorët dhe magjistarët për ta pleqëruar këtë ëndërr. Ata i thanë se sipas ëndrrës, tek Bijtë e Israilit do lindë një foshnje, i cili do të rrënojë pushtetin e faraonit.
Menjëherë, ai nxjerr një dekret sipas të cilit duhej të vritej çdo foshnje mashkull që lind tek Bijtë e Israilit. Asokohe, Haruni kishte lindur dhe i shpëtoi këtij vendimi. Kurse nëna e tij, ishte shtatzënë me Musanë a.s.
Sipas urdhrit të faraonit, gratë shtatzëna duheshin lënë të qeta derisa të lindnin. Nëse lindnin meshkuj, të porsalindurit ekzekutoheshin në çast, në të kundërt jo.
“ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë.”(Kasas, 3-4)
Faraoni dërgonte mami në lagjet e Bijve të Israilit, për të kontrolluar gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur. Nëse ndonjëra prej tyre nuk tregonte se kishte lindur ndonjë foshnje dhe zbulohej, vritej mamia.
Gjatë kësaj kohe, nëna e Musait a.s e kishte mbajtur të fshehtë shtatzëninë e saj. Ajo nuk shfaqej para njerëzve, por edhe kur shfaqej, bënte gjithçka që mos i dukej barra. Ajo arriti të mos bie në sy derisa lindi. Kur pa se i porsalinduri ishte djalë, ajo e pati të vështirë ta mbajë të fshehtë. Gjatë tentativave për ta mbajtur të fshehtë, Zoti e frymëzoi që ta hedhë në lumin Nil.
“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)
Një i ditur, El-asmeij, dëgjoi një ditë një skllave duke recituar vargje poezie plot elokuencë. Ai i tha:”Sa fjalë madhështore!” Skllavja iu përgjigj:”Jo. Nuk ka fjalë më madhështore se ajeti:”Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”
Aty përmenden dy lajme të reja, dy urdhëresa dhe dy sihariqe.
Kontrollet e ushtarëve të faraonit u shtuan në shtëpitë e Benu israilëve, gjë e cila e detyroi nënën e Musait a.s të veproi sipas frymëzimit. Ajo e mori, e vendosi në një sënduk dhe e hodhi në lumin Nil. Vajzës i kërkoi ta ndjekë përgjatë bregut derisa të qëndrojë në ndonjë vend.
“Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.” (Kasas, 11)
Sënduku ku qëndronte Musai a.s qëndroi në bregun ku ndodhej pallati madhështor i faraonit. Patjetër që diçka ndodhte me vullnetin dhe dëshirën e Zotit të lartësuar.
“Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.” (Kasas,
Në rrëfenjat izraelite thuhet se Asija e dalloi se foshnja rrjedh nga Benu Israilët, por këtë e mbajti të fshehtë ndaj faraonit dhe të tjerëve. Ndërkohë që në fakt, të gjithë e kuptuan se ai ishte prej Benu Israilëve. Vetë Asija ishte sterile, e paaftë për të lindur dhe kur e pa foshnjën e porsalindur u gëzua dhe u lidh pas tij.
“Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin.”(Kasas, 9)
Faraoni iu përgjigj të shoqes:”Ky është gëzim për ty dhe jo për mua.” Thotë profeti Muhamed a.s:”Sikur të kishte thënë është gëzim edhe për mua, nuk do ishte ndëshkuar.” Dhe në fakt, Musai a.s ishte gëzimi më i madh për Asijen.
Ndërkohë, nëna e Musait a.s ishte shumë e shqetësuar në lidhje me atë që e priste foshnjën e saj të dashur.
“Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë.” (Kasas, 10)
Ajo ishte indiferente ndaj gjithçka tjetër, sikur asgjë nuk ekzistonte. Nga meraku dhe shqetësimi ishte gati të dalë rrugëve të vajtojë dhe ta publikojë se e hodhi djalin e saj. Por Zoti i kishte premtuar se do ia kthejë të porsalindurin që të qetësohet. Ky ishte sihariqi i parë.
Në pallatin e faraonit, Musai i porsalindur refuzonte të pijë qumësht nga të gjithë mëndeshat që i ofruan. Shërbëtorët dolën me të porsalindurin në treg, me shpresë se mos gjejnë ndonjë mëndeshë të re të cilën do e pranojë. Por i porsalinduri vepronte në atë mënyrën sipas urdhrit dhe vullnetit të Zotit.
“Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?” (Kasas, 12)
Shërbëtorët e pyetën motrën e Musait a.s:”Po ti ku e di se do të kujdesen dhe do e edukojnë siç duhet?!” Ajo u përgjigj:”Ata janë një familje e varfër dhe nevojtare, nëse e dinë se ky i porsalindur vjen nga pallati i faraonit dhe për këtë do të shpërblehen, do të bëjnë gjithçka për t’u përkujdesur për të. Në këtë shtëpi, ndodhet një grua e mirë, gjirin e të cilës nuk e ka refuzuar asnjë i porsalindur.”
Shërbëtorët pranuan të shkojnë në shtëpinë e kësaj gruaje dhe me t’ia afruar Musain, filloi të pijë nga gjiri i nënës së tij. Kur dëgjoi mbi këtë Asija, kërkoi të takohet me të dhe i kërkoi të qëndrojë në pallatin e faraonit që të mëkojë Musain. Por e ëma refuzoi me pretekstin se kishte fëmijë të tjerë në shtëpi për të cilët i duhej të kujdesej. Atëherë Asija pranoi që ta marrë Musain në shtëpinë e saj të thjeshtë, bashkë me shumë dhurata. Vetë nëna e Musait a.s u nderua si askush tjetër, saqë edhe komandantët e faraonit i bënin dhurata të shumta, pasi ajo shihej si kujdestarja dhe dadoja e djalit të faraonit.
“Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Kasas, 13)
Musai a.s u rrit mes shtëpisë së prindërve të tij dhe pallatit të faraonit. Kur mbushi moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, ai dallohej për urtësi dhe mençuri.
“Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira.” (Kasas, 14)
Disa interpretues të Kuranit mendojnë se Musait a.s iu dha profecia në këtë moshë, por ky mendim nuk është i drejtë. Në këtë moshë, Musai a.s ishte në fenë e Benu Israilëve, fenë e gjyshërve të tij Jusufit a.s, Jakubit a.s dhe Ibrahimit a.s.
Një ditë, Musai a.s lëvizte rrugëve të qytetit, në një kohë kur njerëzit e tjerë ishin mbyllur në shtëpi. Disa mendojnë se ishte koha e pushimit të drekës dhe disa të tjerë thonë se ishte në mbrëmje. Thotë Zoti lidhur me këtë ngjarje:
“Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë.” (Kasas, 15)
Një egjiptian dhe një izraelit po ziheshin dhe superioriteti i egjiptianit dukej qarë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe e goditi me grusht egjiptianin, gjë e cila i shkaktoi atij vdekjen e menjëhershme. Musai a.s asokohe gëzonte shëndet dhe fuqi të pakrahasueshme me bashkëmoshatarët e tjerë. Me një grusht të vetëm, ai e çoi në botën tjetër egjiptianin. Musai a.s nuk synoi ta vrasë, por thjesht ta largojë nga izraeliti të cilin po e dhunonte. Kur pa çfarë ndodhi, Musai a.s mbeti gojëhapur dhe tha:”Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 15)
Ai ia atribuoi shejtanit faktin që nuk e kishte marrë në konsideratë fuqinë e tij. Nga vetë fjalët, kuptohet që Musai a.s e njihte shejtanin, ngatërresat dhe armiqësinë që i kishte shpallur racës njerëzore.
Musai a.s u pendua dhe u bë pishman për atë që sapo kishte ndodhur.
“O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.” (Kasas, 16)
Meqë ishte një gjynah që ndodhi pa dashje dhe në gjaknxehtësi e sipër, Zoti ia fali.
“Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!” (Kasas, 17)
Meqënëse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u betua se kurrë nuk do të bëhet dorë e kriminelëve dhe njerëzve të ligë.
Edhe pse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u frikësua nga ndonjë hakmarrje, pasi sapo kishte vrarë një egjiptian. çfarë duhej të bënte?
Të nesërmen në mëngjes, teksa ecte plot kujdes Musai a.s përballet me të njëjtën skenë dhe me të njëjtin izraelit që kishte ndihmuar një ditë më parë duke u ngatërruar me një egjiptian tjetër. Thotë Zoti në Kuran:
“Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 18)
Megjithatë i erdhi keq për izraelitin dhe u turr t’i vijë në ndihmë. Në atë çast, egjiptiani i frikësuar i tha:
“Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: “O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”. (Kasas, 19)
Pra, duket që lajmi se Musai a.s kishte vrarë një egjiptian ishte përhapur tashmë në qytet dhe të gjithë e dinin.
Disa interpretues të Kuranit, mendojnë se ai që i tha fjalët e mësipërme ishte izraeliti, i cili mendoi se Musai do qëllojë atë sot, pasi e akuzoi si ngatërrestar.
Musai a.s, duke ndjerë rrezikun që i kanosej, u fsheh. Një mik dhe shok i tij në pallatin e faraonit, e gjeti dhe i kërkoi të largohej menjëherë nga Egjipti pasi faraoni kishte vendosur ta ekzekutojë.
“Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha:“O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”. (Kasas, 20)
Vetë faraoni nuk e donte Musain a.s dhe kjo u pa që ditën e parë që e gjeti e shoqja. Po kështu, edhe paria e Egjiptit e urrenin, pasi e dinin se i përkiste Benu Israilëve. Tashmë ishin krijuar kushtet e duhura për ta hequr qafe Musain.
“Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!” (Kasas, 21)
E ku të shkonte Musai a.s, ndërkohë që të gjithë ishin vënë në kërkim të tij për ta hequr qafe? Ai nuk kishte me vete as ushqim për udhëtim, as ujë, as kafshë dhe as nuk e njihte rajonin. Pa e ditur se ku po shkon, ai udhëtoi në shkretëtirë derisa arriti në Palestinë. Të gjithë këtë distancë ai e përshkoi në këmbë, ku iu grisën këpucët që kishte veshur dhe e plotësoi rrugën këmbëzbathur. Duke qenë se nuk kishte as ushqim, ai ushqehej me gjethe pemësh.
Musai a.s vazhdoi udhëtimin gjersa arriti në Medjen, fshatin ku banonte dhe jetonte profeti i Zotit, Shuajbi a.s. Kjo ishte pasi Zoti e kishte shkatërruar dhe ndëshkuar popullin e Shuajbit, të cilët adhuronin një pemë.
“Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. (Kasas, 23)
Në Medjen, ndodhej një pus uji, ku njerëzit mbushnin ujë për vete dhe për kafshët. Ujin që mbushnin nga pusi, ata e derdhnin nga lugje, ku pinin më pas kafshët e secilit. Ndërkohë që të gjithë njerëzit mbushnin ujë dhe u jepnin të pinë bagëtive, dy vajza të reja qëndronin mënjanë me bagëtinë e tyre. Musai a.s u afrua dhe i pyeti përse qëndronin mënjanë dhe nuk u jepnin ujë bagëtisë. Vajzat u justifikuan se nuk donin të përziheshin me burrat e tjerë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe mbushi ujë për bagëtinë e dy vajzave dhe pasi u larguan, Musai a.s u ul nën hijen e një peme.
“Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!” (Kasas, 24)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Kur Musai a.s mbërriti në Medjen, i ishte rrjepur lëkura e këmbëve nga udhëtimi këmbëzbathur, kurse barku i ishte ngjitur me shpinën nga uria.”
Njëra nga dy vajzat, e dëgjuan lutjen e mësipërme të Musait a.s dhe me të mbërritur në shtëpi, i rrëfyen babait të tyre gjithçka që kishte ndodhur. Ato e panë që ai ishte njeri i fisëm dhe shpirtmadh dhe vendosën që ta ftojnë në shtëpi që ta shpërblejnë.
“Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha:“Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. (Kasas, 25)
Siç e cekën dhe ajeti, vajza erdhi me ndrojtje tek Musai a.s dhe e ftoi në shtëpi. Gjatë rrugës, Musai a.s ecte para kurse vajza pas dhe sa herë që i duhej t’i tregojë drejtimin që duhej të ndiqte, vajza i hidhte një guralec në drejtimin e duhur. Një nga tiparet dalluese të një vajze myslimane është edukata dhe morali i turpit. Këtë e shohim të pasqyruar tek vajza e një profeti dhe bashkëshortja e një profeti. Kjo vajzë, ishte vajza e profetit Shuajb a.s dhe më pas do të martohet me vetë Musain a.s.
“Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha:“Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!” “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. (Kasas, 25-26)
Cilësitë më kryesore që duhet të përmbushë një punonjës janë aftësia dhe besueshmëria. Përveç aftësive të tij, ai duhet të përmbushë dhe kriterin e besueshmërisë, të jetë njeri i besueshëm dhe që e njeh Zotin. Përkundrazi, do e shpërdorojë pasurinë tënde.
Duke shquar cilësi dhe tipare të rralla tek Musai a.s, Shuajbi vendosi ta martojë me njërën nga dy vajzat e tij. Meqë Musai a.s nuk kishte pasuri, pasi ishte i arratisur, Shuajbi i kërkoi që si dhuratë martesore, të punonte tetë vite tek ai. Pas kësaj, do të ishte i lirë të shkonte ku të dëshirojë.
“Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë. Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” (Kasas, 27-28)
Profeti Muhamed a.s u pyet një ditë se sa vite qëndroi Musai a.s në shtëpinë e Shuajbit, duke i shërbyer. Profeti a.s u përgjigj:”I plotësoi dhjetë vite.”
Pas dhjetë vitesh, Musai a.s kishte ndryshuar shumë dhe ndjente mall për vendlindjen e tij, për nënën, motrën dhe vëllain. Kështu, bashkë me gruan ai u nis për në Egjipt. Gjatë rrugës, ai humbet në shkretëtirë. U rrek të ndezë një zjarr, pasi ishte natë e ftohte, por nuk mundi dot. Nga larg, ai dalloi një dritë zjarri dhe i kërkoi gruas të presë aty ku ishte dhe u nis menjëherë drejt zjarrit.
“Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur”. (Kasas, 29)
Padyshim që kjo i ndodhte sipas një plani dhe projekti nga vetë Zoti i madhëruar. Ai duhej të humbiste rrugën atë natë, të mërdhinte bashkë me të shoqen dhe të kërkonte të ndezë një zjarr.
“A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”. (Taha, 9-10)
Kur arriti pranë zjarrit, Musai a.s dalloi diçka të çuditshme. Ajo që Musai a.s e kishte marrë për zjarr, ishte dritë, nur. Kjo dritë dhe nur buronte nga një pemë e madhe. I habitur u afrua tek kjo pemë e cila ndriçonte nga brenda. Kur u afrua, dëgjoi për herë të parë thirrjen hyjnore që i drejtohej pikërisht atij. Zoti i lartësuar po i fliste një krijese të Tij në mënyrë direkt dhe pa ndërmjetës, gjë e cila nuk i ka ndodhur tjetër kujt, përveç profetit Muhamed a.s natën e Miraxhit.
“Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!”
“Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë. Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje.” (Taha, 11-16)
Në një ajet tjetër të sures Kasas, Zoti i lartësuar e përshkruan këtë çast me fjalët:
“Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” (Kasas, 30)
Pasi Musait a.s iu bë gjithçka e qartë, Zoti e pyet në një moment:”Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera. (Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!” Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej.” (Taha, 17)
Në një ajet tjetër, Zoti thotë:
“Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa shkopin që po lëvizte si gjarpër, ai iku me vrap e nuk u kthye prapa. (Zoti i thirri) “O Musa, mos u frikëso! Në të vërtetë, të dërguarit e Mi nuk frikësohen në praninë Time.” (Neml, 10)
“Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë, pa shikuar pas, ndërsa zëri i tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur.” (Kasas, 31)
Në çastin që shkopi i tij u shndërrua në gjarpër, Musain a.s e kaploi frika dhe paniku. Pasi Zoti e urdhëroi ta marrë në dorë, Musai a.s e kapi për bishti dhe u shndërrua sërish në shkop.
“(Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme.”(Taha, 21)
Veç mrekullisë së shkopit që shndërrohej në gjarpër, Zoti i dha Musait a.s edhe një mrekulli të dytë, të cilën e gjejmë në ajetet:
“Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër.” (Taha, 22)
“Fute dorën tënde brenda në gji dhe do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundje.” (Neml, 12)
Musai a.s u urdhërua ta fusë dorën nën sqetull dhe kur e nxorri që andej, ajo i shkëlqente si dielli. Nëse e fuste dorën sërish nën sqetull, drita largohej. Nëse do e kaplonte frika për një arsye apo për një tjetër, Musai a.s mblidhte krahun pas vetes dhe ajo i largohej. Thotë Zoti në Kuran:”Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës! Këto janë dy mrekulli prej Zotit tënd për Faraonin dhe parinë e tij; ata janë njëmend popull i mbrapshtë!” (Kasas, 32)
Pasi e kuptoi mesazhin me të cilin e ngarkoi Zoti, Musai a.s i tha:
” (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime, që ata të kuptojnë fjalën time!” (Taha, 24-28)
Siç dihet, Musai a.s vuante nga belbëzimi, për këtë iu lut Zotit që t’ia largojë këtë të metë. Sa herë që fliste gjëra të zakonshme, Musai a.s belbëzonte, ndërkohë që kur i fliste faraonit mbi Zotin dhe e ftonte në fenë e Tij, fliste lirshëm dhe pa probleme.
Kur nëna e besimtarëve, Aisheja, u pyet se kush ishte ndërmjetësuesi më i madh në histori, u përgjigj:”Ai është Musai a.s, i cili ndërmjetësoi tek Zoti që edhe vëllai i tij të bëhej profet.”
“Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht! Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”. (Allahu) tha: “Kërkesa jote u plotësua, o Musa.” (Taha, 29-36)
Pas kësaj, Musai a.s u kujtua se kishte vrarë një egjiptian dhe se kjo mund të përbënte rrezik për jetën e tij.
“Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin. Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”. Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do
të jeni ngadhënjimtarë.” (Kasas, 33)
Musai a.s në Egjipt
Me të mbërritur në Egjipt, Musai a.s u drejtua drejt shtëpisë së nënën së tij. Pasi u takua me të gjithë familjarët, ai bashkë me Harunin u nisën tek faraoni. Kur vajtën tek porta e pallatit, rojet nuk i lejuan të hyjnë brenda. Musai a.s u tha se ishte i dërguar dhe rojet menduan se ishte i dërguari i ndonjë mbreti dhe e lejuan të hyjë tek faraoni.
Misioni i Musait a.s ishte që të nxjerrë Benu Israilët nga Egjipti. Thotë Zoti në Kuran:”Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” (Shuara, 16)
Me ta parë, faraoni e njohu menjëherë Musain a.s dhe kur dëgjoi kërkesën e tij, i tha:
“Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?! E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?! Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit. A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër? Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”. (Shuara, 18-24)
Këto fjalë, Musai a.s nuk ia adresonte vetëm faraonit, por edhe të pranishmëve të tjerë që ishin të pranishëm.
(Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!” Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.” (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”.(Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni.” (Shuara, 25-28)
Musai a.s ceku disa cilësi të Zotit, i cili kishte nën sundim Lindjen dhe Perëndimin, cilësi këto që nuk i gëzonte faraoni që pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore. Kur i dëgjoi këto fjalë, faraoni u frikësua se mos të pranishmit ndikohen nga fjalët e Musait a.s, për këtë filloi ta kërcënojë dhe t’i bëjë shantazh Musait a.s.
“(Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!”(Shuara, 29)
Kjo është sjellja tipike e diktatorëve dhe despotëve, të cilët nuk binden me argumente racionale. Zgjidhja e vetme e tyre janë burgjet, torturat, syrgjynosja dhe keqtrajtimi i hoxhallarëve dhe ftuesve myslimanë.
Duke parë kokëfortësinë e faraonit, Musai a.s vendosi të luajë me kartën e mrekullive, me shpresë se do të reflektonte.
“(Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “(Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!” (Shuara, 30-31)
Dialogu mes Musait a.s dhe faraonit ceket dhe në shumë ajete të tjera të Kuranit.
“Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne të kemi sjellë ty një shenjë nga Zoti yt. Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë! “Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të godasë këdo, që (i)mohon (shenjat e Allahut) dhe (i) kthen shpinën (të dërguarve të Tij)”. (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?” (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”. (Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm”? përse ata nuk e kanë adhuruar këtë Zotin që beson ti dhe na kërkon ta besojmë dhe ne? – (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!” – me këtë, Musai a.s sikur i tërhiqte vëmendjen që të mos e shkëpusnin bisedën tek brezat e parakaluar, por të flisnin mbi atë kohë – Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme. Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.” (Taha, 47-54)
Kur Musai a.s i foli mbi fakte dhe prova konkrete, të cilat dëshmonin vërtetësinë e asaj që kishte thënë gjer atëherë, faraoni pranoi.
“(Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë! Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!” (Shuara, 31-32)
Ishin dy mrekulli të cilat i lanë gojëhapur faraonin dhe të pranishmit. Duke ndjerë rrezikun, faraoni ndërhyri menjëherë dhe tha:”dhe tha: “O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?! Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!” (Taha, 58)
Pra, faraoni e akuzoi Musain a.s për magji, madje e sfidoi duke e ftuar të përballej me magjistarët e tij. Kjo ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe Musai a.s.
“(Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia le të tubohen paradite”.(Taha, 59)
Musai a.s para magjistarëve
Me të dalë para magjistarëve, Musai a.s i paralajmëroi mbi pasojat që do të kishin po të vazhdonin duke mashtruar njerëzit.
“Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” (Taha, 61)
Këta magjistarë, ishin përzgjedhur nga faraoni që në vegjëli dhe i kishte dërguar tek magjistarët më të famshëm të Egjiptit. Pasi ishin rritur, ata kishin marrë nam në të gjithë Egjiptin për magjitë e tyre. Kur i dëgjuan fjalët e mësipërme të Musait a.s, filluan të diskutojnë mes njëri-tjetrit, pasi e kuptuan që nuk ishin fjalë të një magjistari.
“Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi.” (Taha, 62)
Me njëri-tjetrin ata e pleqëruan çështjen e Musait a.s, i cili nuk u dukej një magjistar siç ishin vetë, por seç kishte diçka ndryshe. Në fund, ata u nisën drejt faraonit të cilit i thanë:”Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (Araf, 113-114)
Jo vetëm që do të shpërbleheni – nëse e thyeni me magjinë tuaj Musain – por edhe do t’u emëroj në postet më të lartë pranë meje. Kjo ua shtoi lakminë më shumë magjistarëve dhe para njerëzve deklaruan:
“Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë. Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 63-64)
Të gjithë magjistarët u vunë në një rresht, ndërkohë që Musai a.s ndodhej përballë tyre i vetëm dhe pas tij Haruni.
“Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”. (Taha, 65)
Zoti e frymëzoi Musain a.s që të presë derisa magjistarët të demonstrojnë magjitë e tyre të parët.
“Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” (Taha, 66)
Dyzet magjistarët e faraonit hodhën përtokë shkopinjtë dhe litarët e tyre, të cilët menjëherë filluan të lëvizin dhe të përdridhen si të ishin gjarpërinj. Kjo skenë e magjepsi edhe vetë Musain a.s.
“Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” (Taha, 66)
“Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe manifestuan një magji të madhe.” (Araf, 116)
Njerëzit që e dëshmuan këtë ngjarje dhe skenë i mbërtheu paniku. Po kështu, edhe vetë Musai a.s u frikësua. “Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.” (Taha, 67)
Por Zoti e qetësoi Musain a.s me fjalët:”Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet.” (Taha, 68)
Me ta hedhur bastunin e tij Musai a.s, u shndërruan në gjarpër dhe filloi të përpijë të gjithë shkopinjtë dhe litarët e magjistarëve. Kjo skenë i siguroi magjistarët se ajo që sapi kishin parë nuk mund të ishte magji.
Për të treguar se magjistarët e pranuan menjëherë këtë të vërtetë, Kurani thotë:” Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”. (Taha, 70)
Ajo që kishin parë me sytë e tyre nuk ishte magji, por ishte një mrekulli me burim hyjnor. Ky reagim i magjistarëve, e xhindosi faraonin.
Ai u ngrit dhe u drejtua magjistarëve me fjalët:“Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?!” (Taha, 71)
Magjistarët, kur konstatuan se ajo që sapo bëri Musai a.s nuk ishte magji, e harruan faraonin. Në sexhde ata sikur i detyroi dikush të bien. Vetë folja që është përdorur në këtë kontekst (Ulkije) do të thotë “u hodhën”, pra sikur dikush i hodhi në sexhde.
Për të gjetur një justifikim dhe për të mos u demaskuar para gjithë publikut, faraoni u tha magjistarëve duke i akuzuar për komplot:”Në të vërtetë, ai (Musai a.s) është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë.” (Taha, 71)
“Në të vërtetë, ky është një komplot që keni përgatitur, me qëllim që të nxirrni nga qyteti banorët e tij! Keni për ta parë!” (Araf, 123)
Faraoni që kishte vrarë kushedi sa foshnje nga bijtë e Izraelit, i shtypte dhe i keqtrajtonte, akuzonte magjistarët dhe Musain a.s për komplot dhe qëllime të këqija. Është e njëjta propagandë, e cila sot adresohet kundër ftuesve dhe hoxhallarëve, të cilët akuzohen si terroristë dhe ekstremistë. Vetë kriminelët dhe spastruesit etnikë, akuzojnë viktimat. Sa e ngjashme e djeshmja me të sotmen!
Faraoni edhe i kërcënoi me fjalët:”Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e palmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.” (Taha, 71)
Përgjigja e magjistarëve ishte e prerë dhe nuk përmbante nota hezitimi:
“(Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!” (Taha, 72)
Faraoni urdhëroi që të vriteshin të gjithë magjistarët që kishin besuar Musain a.s. Magjistarët ishin të parët që besuan në mesazhin e Musait a.s. Përveç magjistarëve, Musain a.s e besuan dhe tre persona të tjerë. Thotë Ibnu Abasi:”Nga egjiptianët e tjerë, nuk besuan veçse tre persona: Asija, burri që i kishte treguar Musait a.s e faraoni kërkon ta ekzekutojë pasi kishte mbytur një egjiptian dhe besoi një i tretë nga këshilltarët e faraonit, por që e mbajti besimin të fshehtë.”
Faraoni u veçua me këshilltarët e tij për ta pleqëruar çështjen e Musait a.s dhe të magjistarëve. Ata e këshilluan që t’i keqtrajtojë më shumë bijtë e Izraelit.
Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:”Dhe, kur ai u solli atyre të Vërtetën prej Nesh, ata thanë:“Vritini djemtë e atyre që i kanë besuar atij dhe lërini të gjalla vajzat e tyre!” (Gafir, 25)
Ai filloi edhe të tallej dhe ironizojë Musain a.s me fjalët:”Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë”. (Gafir, 26)
Musai a.s nuk kishte ku të mbështetej tjetër përveçse në ndihmën e Zotit të lartësuar. “Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë”! (Gafir, 27)
Besimtari që i përkiste familjes së faraonit, por që e mbante të fshehtë besimin e tij, iu drejtua faraonit dhe të tjerëve me fjalët:
“Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.” (Gafir, 28)
Ishte një qëndrim fisnik i këtij besimtari, i cili i kujtonte faraonit madhështinë e Zotit dhe i kërkonte të mos e kundërshtojë profetin e dërguar prej Tij. Faraoni deshi ta keqtrajtojë dhe të hakmerret për këtë guxim, por Zoti e mbrojti.
“Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi.” (Junus, 83)
Faraoni filloi të zbatojë planin dhe projektin e tij për t’ua dyfishuar bijve të Israelit dhimbjet dhe vuajtjet.
Benu Israilët vajtën tek Musai a.s dhe iu ankuan për shtypjen dhe vuajtjet. “Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. (Araf, 129) Fëmijët tanë janë therrur para se të vije ti dhe pasi erdhe.
“Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!” Ata thanë: “Ne jemi mbështetur tek Allahu. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë), dhe shpëtona me mëshirën Tënde, nga populli mohues!” (Junus, 84)
Zoti e frymëzoi Musain a.s dhe të vëllanë e tij që në shtëpitë e bijve të Izraelit të vendosin shenja të caktuara që të njihen.
“Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!” (Junus, 87)
Kjo bëhej me qëllim që kur të urdhërohen për t’u larguar nga Egjipti, ta kenë të lehtë lokalizimin e hebrenjve.
Mandej, Musai a.s e luti Zotin kundër faraonit dhe parisë së egjiptit.
Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!” (Junus, 88)
Tregojnë historianët:”Të gjithë pasuritë e faraonit dhe të elitës së Egjiptit, u shndërruan në gurë.” Jo vetëm pasuritë, por edhe ushqimet me të cilat ushqeheshin çdo ditë.
“(Allahu) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!” (Junus, 89)
Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Musai tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni”. (Araf, 129)
Ndëshkimet e Zotit mbi egjiptianët
Kur shtypja, keqtrajtimet dhe torturat u shtuan mbi bijtë e Izraelit, Zoti çon ndëshkimin e tij kundër egjiptianëve.
“Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend.” (Araf, 130)
Ndëshkimi i parë ishte thatësira, shi nuk binte, burimet u shterën dhe niveli i Nilit ra si asnjëherë më parë. Thatësira bëri që Egjipti të kaplohej nga zia e bukës. Faraoni menjëherë e kuptoi se kjo u erdhi prej Musait a.s dhe e thirri menjëherë. Me t’u takuar, faraoni i tha:”Nëse e lut Zotin që të bjerë shi dhe të largohet thatësira, bijtë e Izraelit nuk do të vuajnë më.” Musai a.s e luti Zotin që ta largojë thatësirën dhe menjëherë Nili u mbush me ujë dhe ra shi i bollshëm. Por faraoni nuk e mbajti fjalën dhe vazhdoi me shtypjen e bijve të Izraelit.
Ndëshkimi i dytë: Pakësim i frutave. Të gjithë pemët që më parë prodhonin sasi të konsiderueshme frutash, tani nuk prodhonin veçse një kokër të vetme. Palmat, nuk prodhonin veçse një bistak të vetëm me hurma. Vreshtat e rrushit nuk prodhonin veçse nga një bistak me një kokërr rrushi. Faraoni e thirri sërish Musain a.s dhe i kërkoi ta lusë Zotin që të largohej ai ndëshkim, në këmbim të mos keqtrajtimit të bijve të Izraelit. Musai a.s e luti Zotin dhe pemët u mbushëm me fruta. Megjithatë, faraoni sërish nuk e mbajti fjalën dhe nuk i lejoi bijtë e Izraelit të largohen.
“Por sa herë që u vinte ndonjë e mirë, ata thonin: “Këtë e kemi merituar!” E kur i godiste ndonjë e keqe, atë merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe popullit të tij. Por jo! Allahu ishte Ai që ua ndillte fatin e zi, ndonëse shumica e tyre nuk e dinin!” (Araf, 131)
Ndëshkimet filluan të ndjekin njëri-tjetrin. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë:
“Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës.” (Araf, 133)
Ajeti përmend vetëm pesë argumente dhe ndëshkime për faraonin dhe popullin e tij. Katër të tjerat i kemi cekur më lart dhe ato janë: Shkopi që shndërrohej në gjarpër, dora që shkëlqente si dielli kur futej nën sqetull, thatësira dhe mungesa e frutave.
Ndëshkimi i radhës ishte përmbytja e Egjiptit. E veçantë është se i gjithë Egjipti u përmbyt, kurse lagjet ku banonin bijtë e Izraelit nuk pësuan asgjë. Menjëherë faraoni kërkoi Musain a.s dhe iu lut të largohej ky dënim. Musai a.s e luti Zotin dhe përmbytjet u ndalën. Megjithatë faraoni vazhdoi me keqtrajtimet dhe shtypjen. Ndëshkimi tjetër ishin karkalecat, të cilët u përhapën me shpejtësi dhe shkatërruan të mbjellat e egjiptianëve. Të gjithë plantacionet me të mbjella të egjiptianëve shkatërroheshin nga karkalecat, ndërkohë ato të bijve të Izraelit nuk pësonin asgjë. Meqë faraoni nuk zinte mend, këtë ndëshkim e pasonte tjetri, morrat. Të gjithë egjiptianët u mbushën me morra në kokë dhe në të gjithë trupin. Ndërkohë që bijtë e Izraelit nuk u prekën aspak nga morrat. Sa herë që një egjiptian shtrihej të pushojë, mbulohej nga morrat.
Ndëshkimi i radhës ishin bretkosat që mbushën vendin. Sa herë që një egjiptian hapte enën të pijë ujë, gjente bretkosa brenda. Shtrihej të flejë, nuk e zinte gjumi nga kuakjet e bretkosave. Ulej të hajë vaktin e radhës dhe hapte gojë për të ngrënë, bretkosa i turrej mu në gojë.
Ndëshkimi i fundit, i cili e drobiti dhe e shkrehu fare faraonin ishte gjaku. Sa herë që një egjiptian shkonte të mbushë ujë në Nil, uji shndërrohej në gjak. Kjo nuk ndodhte me bijtë e Izraelit. Egjiptianët kur mbushnin ujë nga puset, në kova dilte vetëm gjak, kurse kovat e bijve të Izraelit mbusheshin me ujë. Të gjendur në këtë situatë, egjiptianët shkonin tek bijtë e Izraelit të pinë ujë. Por sa e mbushnin gotën për të pirë, shndërrohej në gjak.
“E kur i godiste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga kjo vuajtje, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të ikin me ty”. Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata e shkelën menjëherë premtimin.” (Araf, 134-135)
Në këtë rast, faraoni dhe egjiptianët u lodhën dhe u drobitën, saqë për herë të parë faraoni pranon që t’i lërë bijtë e Izraelit të largohen nga Egjipti, në këmbim të shmangies së këtij dënimi.
Menjëherë Musai a.s i urdhëroi bijtë e Izraelit që në darkë të përgatiteshin se do të niseshin natën për t’u larguar nga Egjipti. Kjo, nga frika se mos faraoni pendohej sërish dhe nuk i lejonte të largohen.
“(Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin!” (Duhan, 23)
Meqë të gjithë i n shtëpitë e njëri-tjetrin nga shenjat e vendosura më parë, filluan gjashtëqind mijë banorë, me plaçkat, fëmijët dhe kafshët, të dalin nga shtëpitë dhe të ndërmarrin udhëtimin e shpëtimit drejt Palestinës.
Të nesërmen në mëngjes, faraoni u pendua për lejen që i kishte dhënë Musait a.s për të marrë popullin e tij. Kush do u shërbente atyre tani që po iknin hebrenjtë? Ku do i merrnin skllevërit dhe krahun e punës?
“Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata shkelën menjëherë premtimin.”(Araf, 135)
Menjëherë ai dhe ushtria u vunë pas hebrenjve dhe Musait a.s. Thotë Zoti në Kuran:”Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre.” (Shuara, 60)
Në këtë kohë, Musai a.s bashkë me popullin e tij kishin mbërritur në brigjet e detit të Kuq. Nga larg, ata dalluan ushtrinë e faraonit që u ishte qepur pas.
“Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën:“Me të vërtetë, na zunë!” Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me m