Aggeler: S’ka limite për listën e zezë, ne s’mund t’i arrestojmë të korruptuarit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës akoma nuk bëjnë publik emrat të cilët hetohen për korrupsion dhe të cilët mund të jenë pjesë e listës së tyre të zezë, por thonë se nuk ka kufizime se kë mund të përfshijë kjo listë. Ambasadorja e SHBA-së, Angela Aggeler në “Rruga drejt” tha se institucionet në Uashington janë shumë të kujdesshëm për të hetuar mirë emrat që kanë marrë në konsideratë përpara se t’i publikojnë ata. Hetimet përfshijnë politikanë, persona nga sektori i drejtësisë dhe biznesmenë. Aggeler tha se varet nga institucionet e vendit në Shkup se çfarë do të bëjë me ato emra.

“SHBA-të mund të sanksionojnë një individ, por ne nuk i burgosim ata, nuk vijmë këtu dhe t’i arrestojmë, ne vetëm u themi atyre se u vendosim sanksionet e caktuara financiare, ose që nuk do të munden më të udhëtojnë në SHBA, ose çfarëdo forme të sanksioneve që marrin. Kështu që, SHBA-të mund të thonë, ja ku i keni dy emra të njerëzve që ne do t’i sanksionojmë dhe siç e kemi parë me rastet që cituat, sanksionet mbesin pavarësisht vendimeve gjyqësore që janë marrë për ata individë, por nuk nxisin asnjë proces gjyqësor këtu. Kjo i takon qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo u takon zyrtarëve të zgjedhur nga njerëzve të këtij vendi. Ata duhet të thonë: ne kërkojmë nga të zgjedhurit tanë të mbajnë përgjegjësi për korrupsionin që shohim çdo ditë”, tha Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

E pyetur për projektin e fundit për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D, Aggeler tha se institucionet duhet të hetojnë dyshimet e mundshme për kompaninë vendore që mbikëqyrë punimet. Ajo shtoi se kompania amerikane që ndërton projektin “Behtel” nuk lidhet aspak me këto dyshime.

“Mendoj se u referoheni dyshimeve ndaj këshilluesve për transaksionet financiare. Kjo është një çështje e ndarë nga marrëveshje me “Behtel-Enkan” e cila u firmos rreth 10 ditë më parë dhe ajo marrëveshje për projektin më të madh infrastrukturor në historinë e këtij vendi është njëra për të cilën ne jemi jashtëzakonisht shumë krenarë… Ajo që ne kemi thënë vazhdimisht është se nëse ka akuza për korrupsion, hetoni ato. Hetoni dyshimet dhe nëse ata janë të vërteta, ndiqni penalisht! Por, ne jemi shumë të sigurt se ata nuk janë për “Behtelin”, u shpreh Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-ve në Shkup.