Bytyqi: Është e natyrshme që trendi i rritjes së pagës minimale të ndiqet me rritje përkatëse edhe të pagave të tjera

Është e natyrshme që trendi i rritjes së pagës minimale të ndiqet me rritje përkatëse edhe të pagave tjera, ndërsa nuk ka vend për shqetësim se një rritje e tillë e pagës minimale do ta përshpejtojë spiralen e inflacionit, deklaroi zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje ekonomike, koordinimin të resurseve ekonomike dhe investimeve, Fatmir Bytyqi.

Bytyqi në intervistën për 24 Info lidhur me atë nëse do të vijojë rritje e pagave të tjera në sektorin publik dhe privat, ai tha se të punësuarit në sektorin publik tashmë kanë marrë rritje pagash sipas marrëveshjeve kolektive për secilën degë veç e veç.

“Me këtë rritje të pagës minimale do të rriten pagat e administratorëve të cilët kanë të lidhur marrëdhënie pune sipas Ligjit për nëpunës administrativ, ndërsa të gjithë të tjerët që janë nën ombrellën e shtetit, kanë sindikatat e tyre -degë që kanë lidhur kontrata kolektive dhe pagat dhe shtesat e tyre janë të definuara me këto kontrata kolektive”, ka thënë Bytyqi.

Në lidhje me sektorin privat, pritshmëritë e tij janë se është i natyrshëm ky trend i rritjes së pagës minimale që të ndiqet nga një rritje adekuate e pagave të tjera, e cila natyrisht duhet të përcillet me rritjen përkatëse të produktivitetit, efektivitetit në punë të çdo punonjësi, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.

Zëvendëskryeministri në intervistën ka thënë se nuk ka absolutisht hapësirë për shqetësim se një rritje e tillë e pagës minimale do të përshpejtojë spiralen e inflacionit.

“Të prirur nga ligjet ekonomike bazë, ne jetojmë në një periudhë të çmimeve më të larta të energjensave dhe produkteve ushqimore bazë për shkak të uljes së prodhimit dhe jo për shkak të rritjes së fuqisë blerëse të amvisërive. Energjensat dhe produktet ushqimore bazë i përdorim në masë të kufizuar, pra është shumë e vështirë që në praktikë të ndodhë rritje e çmimeve të tyre për shkak të rritjes enorme të ofertës. Parashikimet afatshkurtra deri në fund të këtij viti, si nga ana e Organizatës ndërkombëtare të ushqimit dhe bujqësisë (FAO) lidhur me çmimet e ushqimeve, ashtu edhe nga Agjencia ndërkombëtare e energjisë (IEA) në lidhje me çmimet e energjensave, janë se do të ketë një ulje të mëtejshme, por sigurisht me dinamikë më të dobët. Këto parashikime janë inkurajuese dhe na japin shpresë se efekti i tyre do të ndikojë edhe në ekonominë tonë që siç e dimë është pothuajse 100 për qind e varur nga importi i energjensave dhe e cila prodhon rreth ½ të nevojave të përgjithshme për ushqim”, ka thënë Bytyqi.

Zëvendëskryeministri thekson se vitin 2022 sipas shifrave zyrtare të Bankës Popullore e kemi përmbyllur me një shumë rekord të investimeve të huaja në vend prej 753.8 milionë euro. Sipas tij, ekonomia jonë nuk ka nevojë vetëm për inxhinierë dhe punëtorë të TI-së, por edhe profile ku oferta e fuqisë punëtore në vendin tonë është shumë më e kufizuar ose nuk ekziston fare.