Derisa qeveria reklamohet se po lufton inflacionin e lartë, masa e fundit për “ngrirjen” e çmimeve është në shënjestër të kritikave të sindikatave që vlerësojnë se kjo masë është e vonuar. Sipas tyre, shteti duhej të reagonte më herët dhe të mos lejonte që çmimet e bukës, miellit dhe vajit të rriten për 120%.
Ata thonë se “ngrirja” e çmimeve në produkteve themelore të ushqimit, nuk do të thotë uljen e shpenzimeve mujore, në kushte kur inflacioni në vend është ndër të të lartit në Evropë.
“Jemi shumë vonë me masat. Duhej ta kishin parashikuar më herët dhe të bëhej “ngrirja” e çmimeve sikurse në Shqipëri, Serbi, B e H dhe Kosovë. Kursimet për një muaj me blerjen e pastave, bukës, qumështit dhe bulmetit do të jenë 200 denarë për një muaj. Por, kur do t`i shihni çmimet e mishit, pemëve e perimeve, sipas nesh, nuk ka ulje”, thotë Tërpe Deanoski nga Sindikata e AOJSHQ-së
Momentalisht ndjehet mungesa e madhe e fuqisë punëtore, në sektorin publik dhe privat. Gjatë ditës së djeshme virale u bë një fotografi, për të cilën thuhet se janë punëtorë të Bangladeshit, që kanë mbërritur për të punuar në vendin tonë. Nga Sindikata thonë se me 400 euro pagë mujore vështirë se punëtorët e huaj do të mbesin në vend.
“Nuk mund të vijnë të punojnë kur paga fillestare është 23.000 denarë, kurse në sektorin privat 50.000, por nëse shkojnë jashtë vendit shumë më tepër. Sindikata e Ndërtimtarisë njoftoi se vetëm gjatë një viti për 12.000 është ulur numri I fuqisë punëtore, që kanë shkuar jashtë vendit”, thotë Deanoski.
Pagat e rreth 110.000 të punësuarve në sektorin publik janë gati se paga minimale në vend. Pikërisht pagat e ulëta janë aryseja kryesore për ikjen e punonjësve të këtij sektori jashtë vendit – thonë nga Sindikata.
Sipas tyre, rritja e pagës minimale për 2.107 denarë, nuk do të ketë efekt duke marrë parasysh se shporta konsumuese momentalisht është 50.000 denarë, që sipas Sindikatës, duhen dy paga e gjysmë minimale që një familje katëranëtarëshe të mbijetojë gjatë një muaji.