Sindikata e Ndërtimtarisë: Të huajt ndërtojnë në vendin tonë, ndërsa ne nuk kemi punë

Paratë nga arka е shtetit të destinuara për investime kapitale përfundojnë tek kompanitë e huaja të ndërtimit. Të dhënat e Sindikatës së Ndërtimtarisë tregojnë se 96 për qind e parave i marrin të huajt, ndërsa vetëm katër për qind shkojnë për kompanitë ndërtimore të Maqedonisë. Sindikalistët janë të habitur se si do të ndërtohen autostradat e reja nga konsorciumi “Behtel-Enka”, kur Gjykata Kushtetuese anuloi pjesën e Marrëveshjes ndërmjet kësaj kompanie dhe Qeverisë, në të cilën punëtorët pritej të punonin 60 orë në javë. Është një shembull klasik sesi pushteti shkel ligjet e shtetit, shtojnë sindikalistët.

“…Për fat të keq, të dhënat thonë se gati dy miliardë euro do të jepen për kompanitë e huaja, në krahasim me 80 milionë euro për kompanitë dhe punëtorët vendas”, deklaroi Ivan Peshevski-Sindikata e Ndërtimit.

Ndërtuesit akuzojnë qeverinë për një politikë të gabuar pasi në këtë mënyrë kompanitë vendase e humbasin betejën me likuiditetin. Ata duhet të largojnë punëtorët, të mbyllin kompanitë e ndërtimit dhe për shkak të burimeve të kufizuara nuk mund t’u rrisin pagat atyre punëtorëve që mbeten. Prandaj, gjithnjë e më shumë ndërtues kërkojnë shpëtim në kantieret e ndërtimit nëpër Bashkimin Evropian.

“Ne si kompani jemi vërtet të tronditur, që asnjë nga prokurimet e reja publike të financuara nga BERZH, apo Banka Botërore, nuk i plotësojmë kushtet dhe në të njëjtën kohë jashtë vendit i plotësojmë kushtet për të vepruar vetëm”, u shpreh Andrea Serafimovski- grupi i kompanive ndërtimore.

Ata kërkojnë takim urgjent me kryeministrin, në të kundërtën paralajmërojnë protesta masive para Qeverisë. Vitin e kaluar numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit në Maqedoni është zvogëluar për më shumë se 12 mijë persona. Mungesa e aktivitetit në ndërtimin e rrugëve ka ndikuar që punëtorët të marrin pagë mesatare prej 29 mijë denarë, që është pesë mijë më pak se paga mesatare në Maqedoni. /Alsat.mk