Policia e Maqedonisë: Pesë persona kanë marrë pjesë në vrasjen e mbrëmshme, e kanë djegur makinën me të cilën janë larguar

Ministria për Punë të Brendshme në RMV ka dalë me detaje të reja në lidhje me vrasjen e mbrëmshme në Çarshinë e Shkupit.

Nga MPB thonë se autorët e vrasjes kanë qenë pesë persona të maskuar dhe me veshje të zeza.

“Më datë 06.03.2023 në ora 20:11 në SPB Shkup është raportuar se në një objekt hotelierik në rrugën “Samoilova” në Shkup, pesë persona të veshur me maska, me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të J.K. (37) dhe E.I. (28), të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si dhe A.T.(34) nga Shkupi, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “Shën Naumi i Ohrit” për dhënie të ndihmës mjekësore”.

“Është njoftuar prokurori publik, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe me urdhër të të cilit trupat janë dorëzuar për obduksion. Rreth orës 20:30 është djegur një automjet i tipit Audi A6 në rrugën për në Orizare të Epërme. Pas udhëzimeve të prokurorit publik janë zhvilluar biseda zyrtare me disa persona dhe po ndërmerren masat dhe aktivitetet përkatëse për zbardhjen e vrasjes”, thonë nga MPB Maqedoni.

Ndryshe, sot spitali “Shën Naumi i Ohrit” kanë njoftuar se personi i plagosur është lëshuar për kurim shtëpiak dhe se është jashtë rrezikut për jetë.