Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit. Sipas medieve të huaja, numri i të vdekurve shkon mbi 50 mijë.
Sipas të dhënave të fundit tërmeti prej 7.8 dhe 7.5 ballësh kanë marrë jetën e 44,218 personave në Turqi, ndërkohë në Siri numri i viktimave deri më tani ka arritur 5,900. Pas dy tërmeteve të para janë rregjistruar edhe 9136 pasgoditje. Ndërkohë numri i personave të evakuar arriti në 528 mijë e 146.
Turqia gjatë ditës së sotme bëri të ditur se ka nisur tashmë punën për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmetet. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara vlerësoi se 1.5 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë, mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se të gjitha shtëpitë të cilat u shkatërruan nga tërmeti do të rindërtohen brenda vitit. Ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shume rëndësi sigurisë së ndërtesave dhe jo shpejtësisë së ndërtimit të tyre.