1 vit luftë në Ukrainë, Zelenski: Viti 2023 do të jetë viti i fitores

Ukraina shënon sot përvjetorin e parë të luftës ruse, një moment i errët në historinë moderne të Evropës dhe botës. Në një videomesazh, presidenti Zelenski e cilësoi këtë si një vit dhimbje, por siguroi qytetarët se 2023 do të jetë viti i fitores.

Shprehje solidariteti për qëndresën e ukrainasve pati nga e gjithë bota. Presidenti Volodymyr Zelensky u zotua të shtyjë përpara fitoren e Ukrainës gjatë vitit 2023, teksa ai dhe i gjithë populli shënojnë 1-vjetorin e nisjes së luftës ruse.

Në një mesazh të zymtë, por njëkohësisht shpresëdhënës dhe sfidues, ai e cilësoi këtë si një vit dhimbjeje, por siguroi qytetarët e vet, se 2023 do të jetë viti i fitores.

Në videomesazhin e quajtur “Viti i pathyeshmërisë” dhe të shoqëruar me imazhe të luftës njëvjeçare, 45-vjeçari shfaqet i ulur në një tryezë, teksa rikujton ditën që ndryshoi Ukrainën dhe botën përgjithmonë.

“Një vit më parë, nga i njëjti vend rreth orës 7 të mëngjesit, iu drejtova me një fjalim të shkurtër që zgjati vetëm 67 sekonda. Ne do të mundim të gjitha kërcënimet, bombardimet; raketat, dronët kamikazë; ndërprerjet e energjisë; të ftohtin. Ne jemi më të fortë. Ky ishte një vit qëndrese, një vit dhimbjeje, shprese, një vit guximi, uniteti dhe pathyeshmërie. Përfundimi ishte se ne mbijetuam. Ne nuk u mundëm dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë vit”, u shpreh presidenti.

Ceremoni përkujtimore me ndezje qirinjsh dhe aktivitete të tjera në homazh të mijëra viktimave. Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, mbi 8 mijë civilë janë vrarë e të paktën 32 mijë të tjerë janë plagosur, por bilanci real besohet të jetë shumë herë më i lartë.

Ndërsa mbi 100 mijë vetë vlerësohet të jenë vrarë ose plagosur në radhët e ushtrisë nga të dyja kahet. Ushtria e Kievit ka paralajmëruar për sulme të mundshme ajrore me rastin e 1-vjetorit të luftës.
Edhe pse sirenat e alarmit nuk u dëgjuan gjatë natës në Kiev, autoritetet rekomanduan që mësimi të zhvillohet online dhe puna të kryhet nga shtëpia.

Homazhe për qëndresën e Ukrainës erdhën edhe nga përtej kufijve. Kulla Eiffel në Paris e po ashtu institucionet europiane në Bruksel u ndriçuan me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Shfaqje solidariteti pati edhe në qytete të tjera rreth botës.