“Ulja e çmimeve”, 70 për qind e kompanive shkelën marrëveshjen me Qeverinë

70 për qind e kompanive që kanë shfrytëzuar energjinë e subvencionuar nga shteti nuk kanë ulur çmimet e produkteve ushqimore. Autoritetet njoftojnë gjoba, por edhe mbyllje të disa prej këtyre kompanive. Për shkak të pronarëve të pandërgjagjshëm, tani edhe ata që respektuan rregullat do të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike, sepse qeveria po e anulon ndihmën, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat që do të transmetohet sonte me fillim në orën 22:20.

“Sipas të dhënave paraprake, një pjesë e konsiderueshme e kompanive që janë mbi 250, dhe që përdorin masën e subvencionimit të energjisë elektrike, pothuajse mbi 60-70% nuk kanë respektuar të njëjtin vendim, dhe kanë mbajtur të njëjtat çmime krahasuar me muajin nëntor para se të hyjë në fuqi vendimi për subvencionimin e rrymës. Prandaj, pas përfundimit të muajit, siç kemi paralajmëruar, Ministria e Ekonomisë do t’i propozojë Qeverisë që të marrë vendim për anulimin e kësaj mase”, u shpreh Kreshnik Bekteshi- Ministër I Ekonomisë.
Ndryshe, ministri garanton se rryma për amvisëritë nuk do të shtrenjtohet në qershor, si dhe do të kthehet tarifa e lirë ditore./Alsat.mk