Dy policë në Mal të Zi janë arrestuar për shkak të keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar në pikën kufitare në Sukobinë, që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë. Arrestimi i zyrtarëve policorë u bë në bazë të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria në Ulqin, ku thuhej se ata kishin kapur me forcë fytyrën e shtetasit shqiptar, Petraq Milo.
Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”. Ai tha se ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.
Incidenti nxiti reagime të furishme në Mal të Zi, sidomos nga partitë shqiptare. Alternativa Shqiptare, partia e kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dënoi ashpër incidentin. Sipas tyre, shënjestër ishte Petraq Milo, profesor universitar. Milo nga viti 2005 deri më 2013 ka qenë këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikat monetare. Po ashtu më 2019, ai ishte emëruar këshilltar ekonomik i presidentit të Shqipërisë. Qeveria shqiptare dhe ajo malazeze do të mbajnë një mbledhje të përbashkët të hënën, më 27 shkurt.
“Ashtu se si afrohemi 19 marsit prisni shumë incizime, grafitë, nacionalizma, tensione, tentim për të krijuar atmosferë të keqe lidhur me shqiptarët, boshnjakët, pakicave kjo është mënyra se si punon ndokush. Kur bëhet fjalë për këtë ngjarje e kam parë këtë incizim më 15 janar dhe që atëherë kemi marrë masa. Nuk mund që polic që ka probleme të caktuara të jetë pjesë e shërbimeve dhe kjo në kontinuitet do të zgjidhet. Kjo është njëra anë, pjesa tjetër e medaljes se qytetarët shohin vetëm incizimin e shkurtër. Vetëm pak të mendojnë në mënyrë racionale se askush nuk e ka targetuar ndokënd që qëllimisht dhe fillon ta nxjerrë nga veturë, por paraprakisht ka ekzistuar ndonjë shkelje për çka iu afrohen policët, pasi aty ishin 100 vetura. Aty kishim situatë të mos respektimit të rregullat elementare në komunikacionit dhe kolonat që ishin aty”, u shpreh Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi.