Në situatë kur në Maqedoni ka nivel prej rreth 30 për qind të ekonomisë gri, projekti E-inspektor është në fillim të zbatimit të tij, ndonëse u paralajmërua në shkurt të vitit 2021. Projekti kishte për qëllim lidhjen me softuer të të gjitha 28 inspektorateve, por tani për tani vetëm tre janë të lidhura. Nga Këshilli i Inspektimit për Alsat thonë se procesi nuk është aq i shpejtë.
“Aktualisht kompania e përzgjedhur e IT-së po punon për përmirësimin e funksionalitetit të sistemit, mbi bazën e të cilit do të përmirësohen edhe modulet e tjera, sipas specifikave të secilit inspektorat veç e veç”, thanë nga Këshilli i Inspektimit.
Deri në vitin e ardhshëm do të kyçen edhe 16 inspektorate të tjera. Në fillim të vitit 2021, Lupço Nikolovski, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, theksoi se inspektimet me forca të përbashkëta do të japin rezultate më të mira. Me projektin E-inspektor, do jetë më e lehtë për të kapur shkelësit e ligjit. Më pas, nga prezantimin zyrtar i projektit, kaloi gati një vit.
“Kjo dërgon një mesazh se po futet rendi, drejtësia, disiplina, se ligji do të zbatohet për të gjithë, se të gjithë do të duhet të paguajnë tatim, se nuk mund të ketë të privilegjuar dhe të paprekshëm”, theksoi Lupço Nikolovski, zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit.
Nga kjo deklaratë e Nikollovskit deri më sot kanë kaluar gati një vit e gjysmë. Ekspertët thonë se projekte të tilla duhet të vihen në funksion sa më shpejt.
“Platforma është lëshuar pjesërisht, ne nuk mund të vlerësojmë pse është kështu, nëse është vullnet politik apo është problem për shkak të kompanisë së softuerit apo ndonjë problemi tjetër konceptual”, shtoi Borçe Trenovski, Profesor universitar.
Gjendja me korrupsionin është në nivel aq të keq, saqë kohë më parë Amerika dërgoi hetues në vend për të gjurmuar korrupsionin mes zyrtarëve që janë në poste të larta qeveritare./Alsat.mk