Kanë kaluar dy muaj nga koha kur te disa politikanë, ish-politikanë e biznesmenë u ngjall një ndjenjë frike për shkak të zbarkimit të një ekipi amerikan për hetimin e personave të përfshirë në afera të kundërligjshme në vend, por deri tani nga Uashingtoni nuk ka asnjë zë për rezultatet e këtyre hetimeve. Por përkundër kësaj, ALSAT mëson se personat e shënjestruar nga ShBA-të për shkak të veprimeve të tyre megjithatë nuk do të mund të shpëtojnë.
Në bisedë me ambasadën Amerikane në vend, ata konfirmojnë se asgjë nuk ka mbaruar dhe se në mënyrë të vazhdueshme janë në komunikim me Uashingtonin për finalizimin e hetimeve.
“Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me Uashingtonin në lidhje me sanksionet dhe zhvillimin e këtyre rasteve. Çdo njoftim – qoftë për sanksionet, kufizimet për viza si dhe mjete tjera – do të vijnë nga Uashingtoni. Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut t’i mbajë përgjegjës personat e korruptuar dhe kriminelët”, thonë nga Ambasada e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut.
Nga ambasada kishin theksuar se çdo ditë denoncohen njerëz që kanë qenë të përfshirë në afera të kundërligjshme dhe që sipas tyre, duhet të jenë pjesë e listës së sanksioneve andaj për shkak se kjo listë po zgjerohet, ju nevojitet kohë për t’i shqyrtuar ato.
E gjithë kjo vjen për shkak të krijimit të perceptimit te qytetarët se në vend, gjyqësori po i ndëshkon vetëm të pafuqishmit ndërkaq lëndët gjyqësore në të cilat janë të akuzuar politikanë e ish-politikanë, çdo ditë po vjetërsohen apo përfundojnë me aktgjykime të diskutueshme.
Kujtojmë se tashmë ish-ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski po lë sistemin gjyqësor në gjendje të mjerueshme dhe me 4% besueshmëri më pak se nga fillimi mandatit të tij. Nga ana tjetër ministri i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët, Krenar Lloga, po e merr postim me premtime ambicioze në këtë fushë, këto janë disa prej tyre:
Zotimet e ASh-së
Ligji për veting, bazuar në përvojat më të mira evropiane.
Ligji për Zyrën e Rikthimit të Pasurisë.
Avancimi i Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë.
Ligji i ri për kontrollin e brendshëm financiar publik (KBFP)
Zbatimi i plotë i strategjisë së reformës në drejtësi dhe përgatitja e strategjisë së re për reformën në drejtësi 2023-2027.
Premtime të ngjashme ndër vite janë parë në platformat parazgjedhore të të gjitha partive politike në vend, por thuajse asnjëra prej tyre deri tani nuk është realizuar edhe pse në dekadën e fundit në vend me Drejtësinë kanë udhëhequr kryesisht ministra nga radhët e BDI-së, përkatësisht nga 8 ministra për një dekadë, 4 ishin të BDI-së./Alsat.mk