Kryeministri Albin Kurti ka uruar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës përmes një mbledhjeje festive. Ai tha se arsyeja pse kjo ditë nisi me mbledhje dhe jo ceremoni është përcjellja i mesazhit se “puna dhe festa në Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë”.
Kurti tha se Kosova është shembull i demokracisë në Ballkan. Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe. “Kosova është një shembull demokratik në një rajon problematik si Ballkani, kjo falë jush. Kosova jonë, modelin e japin qytetarët”, tha ai.
“Pavarësia u arrit përmes luftës dhe sakrificës dhe do të arrihet përmes punës e cila karakterizon njerëzit e mirë të Kosovës që punojnë për veten, shoqërinë e ekonominë tonë. Në këtë festë duhet të përkujtojmë se detyra kryesore është se kur të vijë 20 vjetori të jenë shumëfishuar arsyet që të rinjtë të mund ta zgjedhin Kosovën për një të ardhme më të mirë”, tha Kurti.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.