Udhëheqësia kineze ka shpallur “fitore vendimtare” në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, pavarësisht akuzave se Pekini nuk është duke treguar numrin e saktë të viktimave me këtë virus.
Prej muajit nëntor, përgjigjja e Kinës ndaj pandemisë ka përjetuar “tranzicion të butë për kohë të shkurtër”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga zyrtarë të një komiteti të lartë kinez që mbikëqyret nga lideri i shtetit, Xi Jinping.
Praktika e ka dëshmuar që Komiteti ka qenë i drejtë në vlerësimet ndaj pandemisë, është thënë në deklaratë.
Më shumë se 200 milionë persona të infektuar me koronavirus kanë kërkuar shërbime mjekësore dhe gati 800.000 raste serioze kanë marrë trajtim të duhur, është thënë në deklaratë.
Mirëpo në këtë dokument nuk është përmendur numri i saktë i viktimave të shkaktuara nga vala e virusit që e ka prekur këtë vend në fund të vitit të kaluar.
Në dhjetor të vitit 2022, Qeveria kineze pati braktisur strategjinë e zero rasteve me koronavirus, dhe ka lehtësuar kufizimet për luftim të pandemisë.
Më pas ka pasur raportime se spitalet dhe krematoriumet nuk kanë pasur kapacitet për t’u përballur me numrin e madh të viktimave me këtë virus.
Zyrtarisht janë raportuar 83.150 vdekje në spitale në periudhën dhjetor-shkurt.
Ka pasur edhe raportime se mjekëve u është thënë që të mos përmendin koronavirusin si shkak për vdekjen e një pacienti në certifikatat e vdekjes.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili. /REL